Vendimi për "Partizanin" pas zgjedhjeve, Berisha nxjerr një dokument: Gjyqtarja Gjoka e dënuar në Greqi

Nga A2 CNN
5 Maj 2025, 16:52 | Politikë

Aktivitetin publik të së hënës, ditën e pestë të numërimit mbrapsh deri në mbyllje të fushatës elektorale për 11 majin, lideri i opozitës, Sali Berisha, e nisi në SPAK.

I veshur sportiv, si asnjëherë tjetër në vajtjet në këtë godinë, ish-kryeministri zbatoi masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”.

Në dalje, përveç mesazhit të përhershëm për kreun e SPAK, të cilin e etiketoi si shërbëtor të Edi Ramës, Berisha publikoi një dokument, që sipas tij, ishte një vendim i Gjykatës Penale të Janinës, Greqi ndaj gjyqtares së Posaçme Irena Gjoka, e njëjta që në dhjetor 2023 e mbylli në “arrest shtëpie”.  

Sipas avokatëve të Berishës, dokumenti ishte siguruar në 2 maj prej autoriteteve greke mes një kërkese administrative të europarlamentarit, Alfred Beleri. 

Dokumenti i prezantuar nga Berisha u bë shkak disa orë më vonë për shtyrjen e seancës së radhës të shqyrtimit paraprak të dosjes “Partizani” për në 19 maj.

Pasi e njoftuan për vendimin gjyqësor grek, avokatët e Berishës kërkuan kohë, për të përgatitur kërkesën për pavlefshmëri të vendimeve të gjyqtares Irena Gjoka. Po ashtu, ata kërkuan shfuqizimin e vendimit të vetë gjyqtares Davidhi për refuzimin e kërkesave të tyre për pavlefshmëri të disa akteve të dosjes.

Pasi u përballën me refuzimin e gjykatës për të dyja kërkesat, duke e vlerësuar këtë si njëanshmëri, avokatët kërkuan për të dytën herë brenda 3 seancave të fundit përjashtimin nga gjykimi të gjyqtares Davidhi. Shqyrtimi paraprak i kërkesës së SPAK për kalimin në gjykim të dosjes “Partizani” ka nisur në tetor të vitit të shkuar.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos