Ankesa e PD për votën e Diasporës, Rama: Klithma që paralajmërojnë humbjen e madhe

Nga Anesti Barjamemaj
5 Maj 2025, 15:05 | Politikë

Zarfet me fletët e votimit te emigrantët në Greqi nuk po shpërndahen sipas ligjit. Ky është shqetësimi i ngritur prej disa ditësh nga Partia Demokratike, që ka vënë në lëvizje edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. 

Me anë të një letre dërguar në adresë të KQZ dhe firmosur nga përfaqësuesi ligjor i PD, Franc Nuri, demokratët listojnë shkeljet që sipas tyre po ndodhin në procesin e votimit në vendin fqinj. 

Problematika qëndron te posta DHL, e cila ka nënkontraktuar kompani lokale në Greqi, të cilat nuk po dërgojnë zarfet te banesa e secilit votues, por u kërkohet qytetarëve që të paraqiten personalisht te zyrat postare për të tërhequr materialin. 

“Në Greqi prej javësh kemi raportime se zarfat me vota nuk po u dorëzohen qytetarëve në dorë në banesë, por shpeshherë po përvetësohen në mënyrë të organizuar nga individë të caktuar që mund të paraqiten pranë pikave postare (qoftë zyrtare, qoftë nënpagesë si zyra bastesh apo hyrje pallatesh), duke përdorur makina me qira me targa shqiptare për të shmangur gjurmët. Këta persona të dyshuar të lidhur me Partinë Socialiste dhe strukturat e saj, ka njoftime se mund të kenë grumbulluar zarfa me fletët e votimit, çka është totalisht e ndaluar dhe penalisht e dënueshme”, thuhet në letrën e PD për KQZ.

Shqetësimi i ngritur nga opozita nuk është mirëpritur nga kreu i qeverisë, pasi i ka quajtur klithma dhe bërje pis të procesit problematikat e hasura nga emigrantët shqiptarë në Greqi. Në fillim, Edi Rama reagoi me anë të një video selfie, ku teksa u bëri thirrje emigrantëve që të shkojnë të tërheqin zarfet në postë, shigjeton opozitarët. 

“E keni parë klithmat e bufit të kënetës u shtrinë edhe jashtë kufijve duke paralajmëruar vjedhjen e madhe. Një nga salamandrat blu kishte nxjerrë ca zarfe në rrugë dhe pretendonte se ishin zarfe të kapur nuk e di sesi e nga kush. Drejtuesi politik për diasporën ka bërë një sqarim që zarfe mund të mbledhësh edhe nga shtëpia jote dhe kur je skllav i bufit dhe shtëpinë tënde e kthen në llogore kënete dhe të thuash që këto i bën regjimi, por këto nuk i ha njeri”, tha kryeministri Rama.

Po Rama nuk u ndal vetëm me këtë sqarim. Me përfundimin e mesazhit video, kreu i qeverisë bëri dhe një postim në rrjetet sociale ku tregoi dhe adresat e zyrave postare në Greqi, vende të në cilat emigrantët mund të tërheqin zarfet, të votojnë e t’i dërgojnë sërish aty.

“Të gjithë ju që jetoni në Athinë, Selanik e kudo në Greqi, por jo në ishuj, mbani parasysh se nga sote hënë, datë 05 maj, deri të premten, datë 09 maj, pikat e shërbimit postar DHL do të funksionojnë me orar të zgjatur”, shtoi Rama.

Këtë realitet duket se e pranuan dhe demokratët që u bëjnë thirrje qytetarëve të shkojnë të marrin vetë zarfet në postë dhe t’i dërgojnë po vetë për në Shqipëri, por denoncuan publikisht problematika të tjera jo vetëm në Greqi por edhe në Itali. 

“Kemi raste që jo vetëm nuk dorëzohen zarfet, ata çojnë e-mail dhe i thonë të vijnë në pikën më të afërt. Zakonisht pika më e afërt e Speedex apo Currier dhe pika më e afërt është një pikë bastesh, dhe shqiptarët shkojnë, por nuk e gjejnë më zarfin aty. U thonë se zarfi i tyre nuk është më këtu, pavarësisht se ata nuk e kanë marrë, dhe dikush tjetër ka shkuar të marrë zarfin e tyre. Kemi raste si në Itali, që një zonjë që punon në ambasadën në Romë, shkon e mbledh zarfet dhe i dorëzon zarfet në mënyrë antiligjore. Quhet Marjeta Mikeli dhe kjo është e pabesueshme”, tha drejtuesja politike e PD për Diasporën.

Ndërkohë demokratët bëjnë me dije se denoncimet në SPAK prej tyre kanë vijuar gati çdo ditë, por kërkojnë që struktura e posaçme të ndërhyjë kryesisht dhe të veprojë për çdo shkelje ligjore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos