Shumica të painteresuar për politikën, mbi 114 mijë të rinj zgjedhës për herë të parë në 11 maj

Nga A2 CNN
5 Maj 2025, 16:46 | Politikë

Në zgjedhjet e 11 majit do të votojnë për herë të parë 114 642 të rinj. Nëse votuesit e rinj do të merrnin pjesë të gjithë në zgjedhje, 18-vjecarët votues do të nxirrnin mesatarisht deri 10 mandate deputetësh në kuvend.

Tirana, qarku më i madh i vendit, ka edhe numrin më të lartë të maturantëve votues. 28.569 votues përherë të parë mund të përcaktojnë fatin dy kandidatëve për deputet për legjislaturën e ardhshme.

Ndërsa vota e të rinjve të  Fierit, Durrësit dhe Elbasanit mund zgjedhë nga një deputet për secilin qark.

Po kaq e rëndësishme është vota e të rinjve edhe në qarqet e tjera. Por me sa duket maturantët votues janë më pak të interesuarit ndaj politikës në Shqipëri.

18-vjeçarë pranë gjimnazeve të Tiranës, të pyetur nga A2 CNN pranojnë se nuk i njohin programet e as kandidatët. Vota e tyre në 11 Maj më se shumti orientohet nga bindjet dhe interesat e familjes.

Të shumtë janë 18-vjeçarët që jo vetëm nuk besojnë tek politika por as nuk do të shkojnë në votimet e 11 Majit. Thonë se nuk njohin kandidatet, programet e as drejtuesit aktualë të institucioneve të rëndësishme të vendit.

Madje dhe ata politikanë që në këto zgjedhje u përpoqën të tërhiqnin online vëmendjen e të rinjve, nga  këta të fundit njihen më shumë si  personazhe Tik-Toku. Për shumë të rinj të intervistuar, votues për herë të parë  11 Maji është një ditë e zakonshme pushimi. Thonë se presin provimet e Maturës Shtetërore me shpresën për t’u larguar jashtë vendit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos