Lufta ndaj korrupsionit është detyra kryesore që Parlamenti Europian i la Shqipërisë, pas takimeve të delegacionit të Komisionit të Jashtëm në Tiranë.
Kryetari David McAllister i bëri thirrje politikës që t’i mbajë duart larg nga drejtësia.
“Së pari, ka nevojë që të vijojë lufta kundër korrupsionit. Javën e shkuar, Transperency International publikoj raportin vjetor të Indeksit të Përceptimit të Korruspionit dhe Shqipëria, fatkeqësisht zbriti 11 vende në renditje. Nevojitet implementim i plotë i legjislacionit, plotësim me staf të strukturave të drejtësisë, si dhe të mos ketë ndërhyrje politike dhe politikanët të japin shembullin”, tha McAllister.
Dhe testi, sipas McAllister, që mazhoranca socialiste të tregojë që nuk është kundër luftës së korrupsionit është pikërisht çështja e zv/kryeministres, njëkohësisht ministres së Energjisë dhe Infrastrukurës, Belinda Ballukut: “Çështja që përfshin zv/kryeministren Balluku është test kritik për Shqipërinë në luftën e saj kundër korrupsionit”.
McAllister e pranoj që në takimin me Edi Ramën kjo ka qenë temë e dikutimit, por, sipas tij, është në tagrin e Kryeministrit të marrë vendimet politike: “Kjo nuk është vetëm një pyetje që lidhet me pjesën juridike, por ka të bëjë edhe me përgjegjësinë politike dhe kjo duhet të zgjidhet nga qeveria shqiptare”.
Ndërsa për ndryshimet e propozuara nga PS me firmën edhe të Edi Ramës në kodin e Procedurës Penale për të mbrojtur edhe ministrat nga kërkesat e prokurorisë për pezullim, Kryetari i Komisionit të Jashtëm të PE detyroi ambasadorin e BE në Tiranë të përgjigjjet. Silvio Gonzato ka një merak, të mos preket Reforma në Drejtësi dhe të konsultohet me delegacionin: “Shqetësimi nuk lidhet vetëm nëse përputhet me legjislacionin e BE, por ka të bëjë edhe me faktin që në asnjë mënyrë të mos preket principi i Reformës në Drejtësi të miratuar në 2016. Ne presim që qeveria të konsultohet me ne”.
Reforma Zgjedhore duhet të bëhet me gjithpërfshirje para zgjedhjeve të ardhshme. McAllister u shpreh: “Duam të shohim një Reformë Zgjedhore reale që të bëhet në kohë të mjaftueshme, duhet të jetë gjithëpërfshirëse me opozitën dhe t’u adresohet rekomandimeve të OSBE-ODIHR”.
Si një njohës i mirë i politikës shqiptare, McAllister edhe në këtë vizitë vuri re polarizim të politikës, duke i kërkuar PS dhe PD dialog politik: “Jemi të shqetësuar për polarizimin politik. Inkurajojmë stabilitetin dhe dialogun politik në vend. Shumica duhet të krijojë hapësirë për ndërveprimin me opozitën dhe opozita të bëhet më bashkëpunuese. Protestat e dhunshme nuk kanë vend në demokracinë funksionale”.
McAllister nuk arrit të gjente kohë për kryetarin e PD, Sali Berisha: “U takova me Bardhin, Tabakun dhe Vokshin, por nuk do të takohem me Berishën sepse do të iki në aeroport”.
Komisioni i Jashtëm do të prezantojë javën e ardhshme raportin për Shqipërinë. (A2 Televizion)