Bordi i Paqes, Samiti i NATO-s dhe investimet amerikane, Balla takon përfaqësuesen e SHBA në Tiranë

Nga A2 CNN
18 Shkurt 2026, 17:45 | Politikë

Bordi i Paqes, Samiti i NATO-s dhe investimet amerikane, Balla takon

Taulant Balla ka zhvilluar një takim me të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës amaerikane në Tiranë, Nancy VanHorn. Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i grupit parlamentar socialist bën të ditur se në fokus të diskutimeve ishin çështje të rëndësishme të bashkëpunimit dypalësh dhe zhvillimeve ndërkombëtare.

Sipas tij, biseda u përqendrua te takimi Inaugurues i Bordit të Paqes në Uashington, ndërkohë që vitin e ardhshëm Shqipëria do të mirëpresë samitin e NATO-s dhe vizioni i presidentit Trump.

“Ndërsa nesër në Washington Presidenti Donald Trump mirëpret Kryeministrin Edi Rama dhe aleatë të tjerë në mbledhjen e parë të Bordit të Paqes, u takova sot me të Ngarkuarën me Punë Nancy VanHorn. Temat e diskutimit ishin të shumta dhe produktive. Jemi krenarë që Shqipëria do të mirëpresë vitin e ardhshëm Samitin e NATO-s dhe mbështesim vizionin e Presidentit Trump për rritjen e shpenzimeve në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, angazhime të cilat Shqipëria po i përmbush hap pas hapi”, shkruan Balla.

Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për interesin e kompanive amerikane në Shqipëri dhe hapat e ndërmarra nga autoritetet për krijimin e një mekanizmi efikas për shqyrtimin e investimeve, si edhe mesazhet e sekretarit të shtetit.

“Gjithashtu diskutuam për interesin e kompanive amerikane, partneritetet e drejta ekonomike dhe hapat e hedhura nga autoritetet ekzekutive në inicimin e një mekanizmi efikas për shqyrtimin e investimeve. Vlerësova lart mesazhet e Sekretarit të Shtetit Rubio mbi partneritetin e pazëvendësueshëm euro-atlantik në Konferencën e Sigurisë në Mynih”, theksoi kreu i grupit socialist. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos