
Pasi Edi Rama akuzoi opozitën për pengimin e negociatave me BE-në, ka reaguar kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi shprehet se vetëm Rama e ndal Shqipërinë europiane. Sipas tij për Grupkapitullin e Themeloreve, Bashkimi Europian i ka vendosur Shqipërisë 34 kushte, të cilat sipas tij lidhen me korrupsionin, sundimin e ligjit dhe funksionimin e institucioneve demokratike.
Postimi i plotë i Bardhit në Facebook
Ka vetëm një gjë që e ndal Shqipërinë europiane.
Quhet Edi Rama.
Për të mbyllur negociatat e anëtarësimit vetëm për Grupkapitullin e Themeloreve, BE-ja i vendosi Shqipërisë 34 kushte të rënda. Sepse Edi Rama mbrojti me votë në Parlament korrupsionin dhe i siguroi Belinda Ballukut imunitet nga arrestimi i SPAK-ut.
Në 34 kushtet për Shqipërinë, Bashkimi Europian shpreh zyrtarisht keqardhje për vendimin e Parlamentit në mbrojtje të Belinda Ballukut dhe i kërkon Kuvendit të zbatojë standardet europiane për imunitetin.
Me një gjuhë të papërdorur më parë për Shqipërinë, BE-ja e quan korrupsionin “shqetësim vendimtar”, duke e rënduar pozicionin negociues të Shqipërisë.
Për herë të parë në një raport zyrtar publik, BE-ja identifikon sektorin e ndërtimit si kanal pastrimi parash përmes “transaksioneve jofinanciare” dhe e lidh këtë drejtpërdrejt me korrupsionin.
Për herë të parë në një dokument zyrtar negociues, BE-ja identifikon si problem për zgjedhjet rrjetet e patronazhimit: sistemin me të cilin PS kontrollon votën përmes administratës shtetërore.
Për herë të parë, BE-ja kërkon zgjedhje plotësisht në përputhje me standardet e OSBE/ODIHR-it si kusht zyrtar për mbylljen e negociatave. Sepse zgjedhjet e Edi Ramës nuk kanë qenë kurrë të tilla.
BE-ja kërkon “mbikëqyrje efektive dhe të papenguar parlamentare, përfshirë komisionet hetimore”; një të drejtë që Rama ia ka mohuar sistematikisht opozitës.
BE-ja kërkon edhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, që Rama i ka injoruar, vonuar ose nuk i ka zbatuar fare.
Grupkapitulli i Themeloreve hapet i pari dhe mbyllet i fundit.
Por pa mbyllur kapitullin e Edi Ramës, Shqipëria nuk i mbyll dot negociatat. (A2 Televizion)