Ish-kreu i PD Kukës Ibsen Elezi duke komentuar procesin zgjedhor për kreun e PD-së, tha në emisionin “Terminal” nga Aurora Sulçen në A2CNN se referendumi si term është i pavlefshëm, pasi statuti njeh vetëm zgjedhjet një herë në katër vjet.
Sipas Elezit PD-ja po shkon drejt rënies graduale për shkak të lidershipit të saj dhe mungesës së forcës institucionale.
Demokrati akuzoi me emra disa funksionarë të PD-së, si Paloka apo Vokshi, të cilët sipas tij njihen si manipulatorë votash dhe u duhen “prerë” duart për t’u bërë një shembull brenda kampit demokrat.
“Termi referendum është term i shpikur nga Sali Berisha, edhe e hanë pastaj gazetarë, pedagogë, analistë. Nuk figuron termi referendum në statutin e PD-së, ka proces zgjedhor një herë në katër vjet, se është proces periodik. Në aspektin politik dua të them që Berisha është me dy humbje, dhe kur ti e ke partinë me vakum pikëpamjesh…", tha Elezi.
"PD për shkak të këtij lidershipi do shkojë drejt rënies graduale. Sepse një parti e sheh forcën e vet se sa institucionale është, një shtet e sheh forcën e vet se sa institucionale është. Patjetër që ka zhgënjim. Berisha sulmon Ramën si manipulator votash, dhe merr Palokën që thotë kemi vjedhur vota sa kemi lënë nam, dhe e emëron kryetar parlamenti në PD. Po kush të beson kështu?! Kam akuzuar Vokshin me fakt, kam akuzuar me fakt Këlliçit. Janë 8 persona që duhen bërë shembull, t’u ‘priten’ duart. Këtu modeli i suksesit është projektuar që para 90-ës! E ka projektuar Ramiz Alia, një person në natyrën e servilit, arriti që nga i 10-ti për të qenë kryetar shteti, u bë i pari. Ky është modeli”, u shpreh ai. (A2 Televizion)