Kreu i qeverisë, Edi Rama, foli në panelin hapës të Konferencës “Lennart Meri”, në Estoni, një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare për sigurinë, diplomacinë dhe të ardhmen e Evropës.
I pyetur se çfarë ndjen Shqipëria për “NATO 3.0”, Rama u shpreh se shqiptarët janë “talebanë perëndimorë”, por nuk munguan “kritikat” e tij ndaj kontinentit.
“Ne jemi me aleancën transatlantike deri në fund. Nuk dua të provokoj askënd këtu, por jam shumë i tunduar të heq jo një paralele, por të bëj pikënisje ish-Bashkimin Sovjetik. Kjo është tunduese jo sepse Europa mund të bëhet Bashkim Sovjetik, por është tunduese sepse ka një pyetje themelore që kërkon përgjigje. A mundet Europa në kushte të caktuara të lejojë imperativat e mbrojtjes, ankthin gjeopolitik dhe përgjigjet e fragmentarizuara për të krijuar një mungesë afatgjatë ekuilibri midis ambicieve të sigurisë dhe atë që unë e quaj qëndresa e civilizimit? Me fjalë të tjera do të thotë se po përballemi me rrezikun që barra e sigurisë të shtrembërojë përparësitë ekonomike. Inferioriteti i perceptuar strategjik të shkaktojë një mbireagim. Dhe ajo çfarë është pjesa më dramatike, duke folur për NATO 3.0 apo çfarëdo ta quani, është që fragmentarizimi burokratik dobëson reagimin, çka më tej na çon në një tjetër pikë që meriton së paku vëmendje e diskutim, e cila është se legjitimiteti politik minohet nga kërkimi për fuqi ushtarake apo jo? Të gjitha këto gjëra më shqetësojnë për atë se ku po shkon Europa”, tha Rama, shkruan A2.
Kryeministri shtoi: “Pra, në vend që të fajësojmë, të rrekemi të rivlerësojmë pozicionin tonë duke drejtuar gishtin drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo Presidentit Trump, na duhet të bëjmë një vlerësim të mirëfilltë. Do ta mbyll, për habinë tuaj, me një pyetje që mendoj se Europa duhet t'ia bëjë vetes: Sa mund të shpenzojë një civilizim për të siguruar vetveten, pa dobësuar themelet që e bëjnë t'ia vlejë të sigurohet?” (A2 Televizion)