Nga takimi me Ramiz Alinë, tek raportet me Nanon e Berishën. Afrim Krasniqi tregon historinë e papublikuar

Nga A2 CNN
15 Maj 2026, 22:32 | Politikë

Politologu Afrim Krasniqi tregoi takimin e Ibrahim Rugovës me Ramiz Alinë, në vitin 1991, ku liderit të Kosovës iu bënë dy kërkesa.

“Kur Ibrahim Rugova erdhi në Shqipëri, kërkoi që Shqipëria ta ndihmojë Kosovën dhe të shndërrohej në një avokat real me kapacitetet e shtetit dhe të drejtës ndërkombëtare. Ramiz Alia, në takimin e parë, në shkurt të vitit 1991 i kërkoi krejt tjetër gjë Rugovës. I kërkoi dy gjëra. Së pari, përshtatuni ju dhe na përkrahni stabilitetin dhe elitën politike të Tiranës; e dyta, ushtroni presion te opozita e re që ajo të heqë dorë nga protestat dhe t’i përshtatet sistemit. Ndërsa opozita i kërkoi Rugovës të ushtronte presion në krahun tjetër. Pra, përpjekja e liderëve tanë politike ishte ta përfshinin politikën e Kosovës në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tona”, u shpreh Krasniqi në studion e “ÇdoKënd” nga Merita Haklaj, në A2CNN.

Krasniqi shtoi se “strategjia e Rugovës ka qenë ta ruajë Kosovën të mos bëhej çështje e rivalitetit politik në Shqipëri”.

“Këtë e pamë në 1991/1992, në 1996/1997, kur ishte e djathta që i krijoi probleme Kosovës duke u munduar ta fusë në zhvillime në Serbi; kur e majta erdhi në Shqipëri e injoroi Rugovën, duke tentuar të krijojë aleanca me grupe të tjera politike në Kosovë dhe në samitin e Kretës Shqipëria e përjashtoi Kosovën nga pjesa vendimmarrëse. Pastaj, kur Rugova u legjitimua si President i parë i Kosovës, krijoi një lloj ekuilibri të ri politik dhe ironia është se të gjithë aktorët u bashkuan për t’i dhënë lamtumirën dhe kuptuan që kanë gabuar. Kjo analizë e individëve na vlen për të kuptuar defektet tona të tranzicionit dhe nevojën që ka Shqipëria për të mësuar nga gabimet e së kaluarës dhe për të pasur një lloj qasje krejt të re në raport me Kosovën, një strategji që nuk ndryshon nga raportet personale”, tha Krasniqi.

Më tej, politologu Afrim Krasniqi shpjegoi arsyen pse Ibrahim Rugova “është lideri më i respektuar në Perëndim në raport me botën shqiptare”.

“Liderët politikë shqiptarë janë kampionë të sharjeve dhe denigrimit të tjetrit. Zoti Rugova kurrë nuk ka dhënë deklarata ndaj asnjë lideri politik të Shqipërisë. Ka pasur gjithmonë një qasje dialogu, respekti, sjelljes institucionale, përpjekje për të parë përtej emrave, përtej sharjeve, për të parë diçka të mirë te tjetri dhe për t’i thënë se duhet dialoguar për të gjetur zgjidhjen më të mirë. Ky model i mungon Shqipërisë. Prandaj është lideri më i respektuar në Perëndim në raport me botën shqiptare”, theksoi Krasniqi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos