"Shpallni gjendjen e Fatkeqësisë Natyrore"- Gjunkshi thirrje publike Ramës: Banorët s'dinë ku kanë kokën

Nga A2 CNN
8 Janar 2026, 21:45 | Politikë

Xhemal Gjunkshi, kreu i Sigurisë Kombëtare në Partinë Demokratike, i bëri thirrje qeverisë që të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore si pasojë e përmbytjeve në vend.

“I kam kërkuar qeverisë që të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore. Është kusht. Ka humbur dhe një jeta e një qytetari. Ne kemi sot me mijëra qytetarë të cilët, jo vetëm në Durrës, por edhe në Lezhë, edhe në Shkodër dhe në Gjirokastër dhe në vende të tjera të Shqipërisë, të cilët nuk dinë në këto kushte të errëta, në këto kushte të vështira të të ftohtit të jashtëzakonshëm që është krijuar, nuk di se ku kanë kokën. Ndërkohë, ne shohim drejtuesit e qeverisë që i bëjnë thirrje qytetarëve që të presin, duke shpresuar që rreshjet e shiut do të ulen”, tha Gjunkshi.

“Këtë fenomen e pamë edhe me kryetaren e Bashkisë së Vlorës, edhe ajo kishte të njëjtin mendim, që ishte me shpresë që do ulen rreshjet e shiut. Këto përgjigje sot dha dhe drejtori i Emergjencave Civile. Ore, po i bëj pyetje. Këta drejtues kaq naivë janë? Kaq të palexuar. Ore, ky telefoni këtu e thotë shumë qartë sa është prurja, si është koha për nesër e pasnesër. Ushtria është e gatshme që të reagojë sa herë që kërkohet, por është politika ajo që e drejton dhe ne këtu konkretisht të vendosim pikën mbi i cilët janë shkaqet. Kemi me qindra biznese të cilëve u janë shkaktuar dëme kolosale. Ky shtet ka marrë masa që mosngritja dhe mosshpallja e gjendjes së emergjencës të fatkeqësisë natyrore detyrimisht shmang përgjegjësinë e këtij shteti nga detyrimi që ka nga shpronësimet për fermerët atje në Fier, për banorët e qytetit të Durrësit apo dhe të gjithë zonave të cilat janë prekur nga përmbytjet”, shtoi Gjunkshi.

Sipas tij, Partia Demokratike do e kishte shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore: “Unë jam një nga ata dëshmitarë, jam përballur jo një here, por disa herë me fatkeqësitë natyrore. Kemi vitin 2012 ku pati sasi të jashtëzakonshme të dëborës, por që e kemi menaxhuar me shumë profesionalizëm, u ngrit komiteti ndërkryeministror në drejtimin e zëvendëskryeministrit. Unë nuk shoh sot në këto momente që ne jemi, që të jetë ngritur komiteti që të mblidhet dhe të drejtohet nga zëvendëskryeministri apo kushdo që të jetë, s'ka rëndësi. Kjo është detyrë e kryetarit të qeverisë që cakton se kush do ta udhëheqë këtë komitet ose këtë operacion për këtë fazë, për këtë situatë që është krijuar në këtë vend”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos