Gazetari Poli Hoxha deklaroi se klasa politike shqiptare e quan veten viktimë para drejtësisë.
I ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, Hoxha u shpreh: “Nuk besoj që ai transformim i zotit Ilir Meta është thjesht nga kushtet, që për të gjithë të burgosurit ka problematikë të madhe, dhe nuk besoj se këto probleme ekzistojnë vetëm për zotin Meta, zotin Beqaj apo zotin Veliaj. Janë për të gjithë të burgosurit shqiptarë. Unë mendoj që ky transformim që iu ndodh në një kohë kaq të shkurtër ka nevojë edhe për një analizë psikologjike. Njihet në botë ajo që kur je në majat më të larta, pastaj shkon në burg, varet si e përballon këtë goditje kaq të madhe. Dhe po shikoj që kjo klasë politike nuk po e përballon dot nga ana biologjike”.
“Ndërsa nga ana politike po përpiqet që të nxjerrë viktimën. Edhe të burgosurit që kanë vrarë kanë një lloj empatie, pranojnë diçka edhe kur nuk e pranojnë të gjithë fajin, por shikojmë që kjo klasë politike e quan veten “viktimë”. Më bëri përshtypje deklarata e Metës “Shqipëria është e shqiptarëve”, por faktikisht kemi parë këto 35 vite që Shqipëria ka qenë e këtyre”, shtoi Hoxha.
(A2 Televizion)