Avenir Peka, ish-zv/ministër i Brendshëm, u shpreh se “anëtarët e SPAK-ut, Gjykatës së Lartë edhe Gjykatës Kushtetuese, i kanë të punësuar familjarët e tyre në administratën publike dhe në vende të ashtuquajtura me lekë”.
I ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, Peka tha: “Fokusohemi te SPAK dhe te goditja e pandëshkueshmërisë. Kjo që ka ndodhur në Shqipëri nuk është se ka ndodhur vetëm në Shqipëri. Ka ndodhur edhe në vendet e tjera të Europës Lindore në periudhën e para anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ka ndodhur në Rumani, ka ndodhur në Bullgari, në Kroaci, në të gjitha vendet e Europës Lindore. Ajo çfarë ka ndodhur në Shqipëri është kapja e sistemit nga ekzekutivi ose nga partia në pushtet. Dhe si është kapur sistemi nga ekzekutivi? Me vetting-un. Ua them publikisht, në procesin vetting-ut ka pasur tre lista: një listë të zezë që duhet të digjeshin; një listë të bardhë që duhet të kalonin pavarësisht se çfarë kishin; dhe një listë gri, kush ishte i shkathët, kalonte. Ky ka qenë procesi i vetting-ut. Në procesin e vetting-ut ka pasur një parim: njerëzit e perceptuar si të Sali Berishës dhe të Ilir Metës, të largohen nga sistemi. Dhe kjo ka ndodhur”.
“Pastaj, kalojmë te niveli i gjykatave të larta. Shikoje biografinë politike të atyre që janë në gjykata të larta, atyre që janë në Gjykatë Kushtetuese dhe mënyrën se si janë emëruar. Ne e dimë shumë mirë që betejën që është bërë për të çuar anëtarin e Gjykatës Kushtetuese duke bërë akt noterial te bregu i Lanës. Ka turp më të madh? Institucionet e kontrollit, ata të emërimit dhe të kontrollit, të gjithë persona politikë, të gjithë të lidhur me Partinë Socialiste. Janë ata që bëjnë emërimet, ata që bëjnë rekomandimet, ata që bëjnë promovimet. Sistemin kështu e kontrollon. Në momentin që kontrollon institucionet që kontrollojnë sistemin, e ke kontrolluar sistemin. Si është mekanizmi tjetër i kontrollit të sistemit? Jemi familje të varura nga raportet e punësimit me shtetin. Anëtarët e SPAK-ut, Gjykatës së Lartë edhe Gjykatës Kushtetuese, i kanë të punësuar familjarët e tyre në administratën publike dhe në vende të ashtuquajtura me lekë: tatime, dogana… Kjo është mënyra e influencimit”, shtoi Peka.
(A2 Televizion)