Pas 18 muajsh izolim, Meta shfaqet në publik, nuk i vijnë në gjyq diplomatët

Nga Armand Bajrami
27 Prill 2026, 19:03 | Politikë

Ilir Meta kishte zgjedhur një kravatë të kuqe për daljen e tij të parë publike, 18 muaj pas izolimit në qelitë e paraburgimit “313” në kryeqytet. Sapo u shfaq në sallën e gjyqit, me një portret dukshëm të parrahur mjaftueshëm nga dielli dhe me më shumë rrudha, përshëndeti mbështetësit me dy gishta. Më tej me duar në zemër e në fund duke bërë simbolin e shqiponjës, transmeton A2 CNN.

Kamerat televizive u lejuan në sallë vetëm në minutat e para të seancës, që ishte e para në themel për këtë gjykim. Po as kamerat në nisje dhe as sytë e të pranishmëve në sallë deri në fund të seancës nuk dëshmuan ndonjë përshëndetje, apo shkëmbim vështrimesh mes Ilir Metës dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi.

Ende pa hyrë trupa gjykuese, në sallën ku ftoi diplomatët e huaj, por i kishin ardhur vetëm bashkëudhëtarë politikë e mbështetës, Meta e cilësoi procesin si të turpshëm, shkruan A2 CNN.

“Gënjeshtra me kallëzues të rremë”.

Të parën kërkesë që bëri avokati i Metës, ishte nxjerrja e tij ka kafazi. Refuzimi i kërkesë ngjalli një reagim të ashpër në sallën e gjyqit, që vijoi edhe jashtë saj.

Ndërsa e pandehura Monika Kryemadhi tha se SPAK nuk i kishte vënë në dispozicion akt-ekspertimin e telefonit të saj, akte që prokurori Sotir Kllapi e ftoi të shkonte t’i merrte.

Seanca e së hënës u ndërpre dhe u shty për më 11 maj, për shkak se avokatja e të pandehurës Fatime Kryemadhi, joprezente në gjyq, nuk i kishte dhënë tagra avokates për të kërkuar gjykim të shkurtuar. Deri në seancën e radhës, Metës ju pezullua edhe afati i paraburgimit, përcjell A2 CNN.

Në këtë proces Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi akuzohen për “korrupsion”, “pastrim të parave” dhe “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos