
Një akt politik dhe jo juridik, e ka cilësuar kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi vendimin e djeshëm të Gjykatës kushtetuese që riktheu në detyrë Belinda Ballukun duke shfuqizuar vendimin e GJKKO-së. Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi thekson se vendimi i djeshëm nuk përbën surprizë, pasi opozita e kishte paralajmëruar prej ditësh.
Ai akuzon Gjykatën Kushtetuese se është nënshtruar ndaj presionit të kryeministrit Edi Rama, duke shtuar se shumica e anëtarëve nuk kanë dhënë as argumentim minimal ligjor për vendimin e marrë.
“Asnjë surprizë nga vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese për të pandehurën Belinda Balluku. Nuk është hera e parë që Gjykata Kushtetuese i nënshtrohet presionit mafioz të Kryeministrit. Opozita e kishte paralajmëruar këtë që ndodhi prej ditësh. Madje 5 anëtarët në shumicë kishin bërë shumë mirë që as nuk kishin marrë mundimin të shkruanin qoftë dy fjali për të argumentuar vendimin e tyre, sepse fundja ai vendim s’ka asnjë lidhje me to, me Kushtetutën dhe me ligjin. Ai është vetëm një akt politik i Edi Ramës për të penguar drejtësinë dhe për të mbrojtur veten e bashkëpunëtoren e tij, dhe për këtë arsye nuk ka asnjë nevojë të justifikohet me sajesa juridike”, shprehet Bardhi.
Sipas tij, vendimi nuk rikthen fondet e dyshuara si të grabitura dhe nuk garanton mbrojtje afatgjatë për askënd. Ai shprehet i bindur se fundi i kësaj historie do të jetë triumfi i së vërtetës, drejtësisë dhe interesit publik.
“Mirëpo, kush gëzon sot, do të hidhërohet më shumë nesër! Dhe, më mirë se kushdo, këtë e di Edi Rama – Kryeministri peng i të pandehurës së vetme në historinë e Bashkimit Europian që as nuk jep dorëheqje, as nuk lejon ta shkarkojnë. Për fat të mirë, vendimi i djeshëm është vetëm një akt i përkohshëm, që i jep pak kohë Edi Ramës për të mbrojtur aferat e tij korruptive dhe për të fshirë lotët e krokodilit përpara Belindës. Vendimi nuk shuan përgjegjësi, nuk mbyll çështje, nuk i rikthen 50 milion eurot e grabitura, dhe nuk garanton mbrojtje afatgjatë. As për Edi Ramën, as për Belinda Ballukun. Aktet madhore korruptive nuk neutralizohen me manovra procedurale dhe as me vendime të përkohshme të marra nën presion të pashembullt ndaj Gjykatës Kushtetuese. Fundi i kësaj historie nuk ka për të qenë triumfi i pandëshkueshmërisë dhe korrupsionit. Ka për të qenë triumfi i të vërtetës, drejtësisë dhe interesit publik. Sepse koha mund të blihet, por llogaridhënia jo!”, thekson kreu i grupit demokrat.
(A2 Televizion)