“Këtë vit buxheti është më i shëndoshë dhe qeveria është treguar më zemërgjerë sa i përket shpërndarjes së bonusit për pensionistët. Patjetër që në masat e saj qeveria do të përfitojë edhe elektoralisht. Kur unë çdo vit rris pensionet ose shpërndaj bonuse dhe kjo perceptohet nga publiku si politikë e mirë, patjetër që do të vjel edhe rezultatin elektoral. E ka bërë edhe Berisha. Harroni gjelin e Vitit të Ri? Berisha dilte dhe thoshte i kam siguruar pensionistëve gjelin e Vitit të Ri”.
Kështu u shpreh në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN ish-ministri Damian Gjiknuri, aktualisht deputet dhe Sekretar për Çështjet Zgjedhore.
Gjiknuri theksoi se në fillim të mandatit tjetër pensionistët do të ndjejnë rritjen reale të pensioneve, sidomos ata me pensione minimale, tha ai.
“Çështjen e rritjes së pensioneve, mandatin tjetër PS do ta adresoj dhe në parlament. Tani e ka filluar nga lufta kundër informalitetit, pasi po bëhet një reformë për të mbushur skemën e pensioneve. Unë kam hedhur një ide, e cila mendoj se do të realizohet gjatë mandatit tjetër. Një pjesë e buxhetit, duke shkurtuar disa shpenzime, investime të tepërta, dhe duke rritur pak borxhin publik, për të cilin kam bindjen që ka shkuar në shifra nën 60%. Qeveria po i bën këto kalkulime sepse çështja është shumë e ndjeshme. Në fillim të mandatit tjetër ne do ta vëmë në shina këtë gjë, ku dhe pensionistët do të ndjejnë rritjen reale të pensioneve, sidomos ata me pensione minimale”, tha Gjiknuri në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli. (A2 Televizion)