Lapaj: Qeveri-opozitë nuk duan votën e emigrantëve, por jam i bindur se do e bëjmë realitet

Nga A2 CNN
24 Prill 2024, 19:35 | Politikë

Lapaj: Qeveri-opozitë nuk duan votën e emigrantëve, por jam i

Në një kohë kur kryeministri Edi Rama ka njoftuar turin e takimeve me emigrantët, Adriatik Lapaj, drejtuesi i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” është spektik dhe tha se është i bindur se kjo qeveri, por edhe vetë opozita nuk e do votën e diasporës. I ftuar në Debatin e Pasdites, me gazetaren Bruna Çifligu, Lapaj tha se pavarësisht rezistencës së tyre, Lëvizja e tij nuk do t’i ndahet listave të hapura, votës së emigrantëve dhe tha se për sa kohë qytetarët e duan, do ndodhë.

“Emigrantët nuk janë me këto, prandaj nuk duan votën e këtyre. Ato mund të bëjnë ç’të duan, ne si lëvizje kemi në dorë veten tonë, unë di të them me bindje të plotë, nuk do t’i ndahemi, do ndodhin, në këtë rrugëtim timin personal, unë kam ardhur duke u rritur nga qytetarët e këtij vendi, dhe jam investim i qytetarëve dhe nuk mund të më lënë në mes të rrugës tani, qytetarët me votë masive do na mbështesin”, u shpreh Lapaj.

Në A2 cnn, ai pati edhe një mesazh për klasën ekzistuese politike, në rast se ia del që të shndërrohet në një faktor të rëndësishëm për krijimin e qeverisë. Lapaj paralajmëroi për zgjedhje të parakohshme sa herë që shkelen parimet e demokracisë.

“Këta do gjejnë belanë nëse ne kemi në dorë krijimin e qeverisë, sepse ne do çojmë në zgjedhje të parakohshme disa herë rresht nëse ne e kemi në dorë, nuk do ketë qeveri nëse nuk plotësohen kushtet e demokratizimit të vendit, duam t’i provojmë që jot ë gjithë janë maskarenj dhe nuk kanë një çmim”, shtoi ai.

“Luftën” për ndryshimin e sistemit, Lapaj thotë se nuk po e bën për t’u bërë deputet, por për të mirën e vendit, duke e konsideruar si “rruga e dinjitetit”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos