
“Pengu i SKY ECC u hodh në rrugë pasi u keqpërdor nga Rama dhe grupet e strukturuara kriminale!” Kështu shprehet deputeti i Partisë Demokratike Besart Xhaferri, në një reagim në rrjetet sociale pas largimit nga drejtimi i Policisë së Shtetit të Ilir Prodës. Sipas deputetit demokrat, Proda u përdor nga Rama për ta kthyer Policinë në makineri dhune ndaj protestave të opozitës dhe eskortë shoqërimi për bosët e narkotrafikut.
"Ilir Proda, njeriu që u përdor nga Edi Rama për ta kthyer armatën e Policisë së Shtetit në makineri dhune ndaj protestave të opozitës dhe eskortë shoqërimi për bosët e narkotrafikut, sot u hodh në rrugë si një limon i shtrydhur, siç ka ndodhur me të gjithë “kurbanët” e Ramës këto 13 vite. Prodën e pret burgu, së pari për lidhjet e tij me klanet mafioze në Elbasan dhe në Durrës, e së dyti për pasurinë e tij të pajustifikuar që e ekspozoi emisioni “Plug” në Syri TV. Në çdo protestë kam denoncuar faktin se strukturat e rendit, me urdhër të drejtpërdrejtë të Ilir Prodës, kanë dhunuar të rinjtë tanë që kanë qenë pjesë e protestave kundër bandës së plaçkitësve të Ramës”, shprehet Xhaferri.
Ai theksoi se opozita do të vijojë protestat deri në largimin e Ramës nga pushteti.
“Proda është thjesht kurbani i radhës, por të jeni të sigurt se ne nuk do t’u ndahemi shesheve derisa fatin e Prodës ta ketë edhe Edi Rama”. (A2 Televizion)