Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka komentuar aksionin e Ervin Salianjit, i cili ka zhvillar disa takime me demokratë anembanë Shqipërisë.
Në ‘Ditari i Pasdites’ në A2 CNN, Tabaku u shpreh se më shumë sesa një përplasje, aksioni i Salianjit i duket më shumë një përplasje idesh me kupolën e PD-së.
Megjithatë Tabaku tha se nuk ishte dakord me mënyrën sesi Salianji kishte zgjedhur që ta zhvillonte aksionin e tij politik, pasi sipas saj, do të ishte mirë që diskutimet të bëheshin brenda forumeve të PD-së.
Ajo gjithashtu doli kundër disa funksionarëve të PD-së që kanë kërkuar përjashtimin e Salianjit nga partia, teksa tha se tani është koha për bashkim dhe jo për përçarje.
“S’më duket më shumë një përplasje, sesa një përplasje idesh. Ai ka zgjedhur rrugën e tij, për të cilën unë nuk jam dakord. Unë preferoj që t’i kemi diskutimet në Kryesi, në Grup Parlamentar, boll i kemi bërë në studiot televizive. A ka nevojë sot PD që të diskutojë? Patjetër. Por ne duhet të tregojmë maturi, pjekuri dhe që jemi atje në PD pavarësisht pozicionit që ka secili, pavarësisht interesave personale që ka secili.
E madhja më e madhe është përpara. Unë nuk mendoj që përjashtimet duhet të jenë një fjalë që të mbizotërojë në fjalorin tonë këto momente. Ne ku të zgjasim dorën, ku të shtohemi. Ne duhet të mendojmë patjetër kë të marrim me vete, jo kë të largojmë. Dhe në këtë kuadër forumet e PD duhet të jenë qendrat e debatit dhe diskutimeve”, tha mes të tjerash Tabaku. (A2 Televizion)