Çështja e financimit të partive politike është ndër më themeloret e një procesi zgjedhor. Këtë deklaroi Sali Berisha pas takimit që zhvilloi me një delegacion të Komisionit të Venecias që ndodhet në Tiranë, që po merr mendimet e subjekte kryesore për ligjin e financimit të partive politike.
Sipas liderit të Partisë Demokratike, ka një diferencë të madhe mes forcave të ndryshme sa i përket financave që vijnë nga buxheti i shtetit. “Konkretisht me fakte provuam se në këto zgjedhje në rrafshin e financimit nga paratë e buxhetit, diferenca mes dy partive kryesore, Partisë Demokratike dhe partisë në qeveri, ka qenë minimumi 700 deri në 1 mijë herë”, tha Berisha, përcjell A2 CNN.
Zyrtarëve të Venecias, Berisha tha se u kishte folur për problemet e zgjedhjeve të 11 Majit 2025, duke vijuar akuzat se ai proces është manipuluar nga partia në pushtet.
Ekspertët e Venecias ndodhen në Tiranë me kërkesë të Kryetarit të Kuvendit, i cili u ka dërguar edhe draftin e dakordësuar mes socialistëve dhe demokratëve për ligjin e financimit të partive politike, por Berisha mohoi që të ketë një dokument të firmosur nga zyrtarë të PD. “Unë nuk di të ketë asnjë draft të përbashkët të miratuar. Jo, jo, jo të miratuar. Si? Më falni”.
Por nga ana tjetër lideri demokrat pohoi se mbështet rekomandimet që OSBE ka bërë lidhur me draftin e këtij ligji. “Plotësisht! Ka bërë një raport të shkëlqyer, të cilin pa diskutim që ne e përfillim dhe e marrim shumë parasysh. Natyrisht presim dhe rekomandimet e Komisionit Venecias”.
Komisioni i Venecias ndodhet prej ditës së enjte në Tiranë, ku ka zhvillluar takime edhe me zyrtarë të mazhorancës dhe përfaqësues të partive më të vogla. (A2 Televizion)