SPAK-u nuk është thjesht një prokurori kombëtare, por një instrument gjeopolitik strategjik i Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Europian dhe Britanisë së Madhe. Kështu deklaroi në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, gazetari Poli Hoxha, sipas të cilit, kjo dëshmohet nga përfshirja e drejtpërdrejtë e përfaqësuesve të lartë ndërkombëtarë, përfshirë zyrtarë të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe ministra të jashtëm europianë, në kontaktet me SPAK-un.
“Tashmë është shumë e qartë që SPAK është jo thjesht një prokurori e zakonshme, por është një mjet gjeopolitik strategjik i SHBA-së, i Bashkimit Evopian dhe i Britanisë së Madhe. Është e qartë kjo. Kjo është e qartë sepse ne shikojmë që vjen këtu një post politik në Departamentin e Shtetit si zoti Fleming që është drejtor për gjithë ndihmës sekretarët dhe për gjithë Europën vjen dhe futet në SPAK. Vjen ministri i jashtëm i Gjermanisë. Ç'punë ka ministri i jashtëm i Gjermanisë me një prokurori të një vendi 2 milionë dhe vjen dhe futet atje. Mund të vinte kryeprokurori i Gjermanisë apo ku di unë çfarë kanë” tha ai në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Sipas gazetarit, ligji amerikan për sigurinë kombëtare, i miratuar me konsensus nga republikanët dhe demokratët dhe i firmosur nga ish-presidenti Donald Trump, do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në Ballkanin Perëndimor. Në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, ai theksoi se ligji parashikon masa konkrete ndaj aktorëve destabilizues, personave që minojnë demokracinë dhe zyrtarëve të përfshirë në korrupsion.
“Dhe po të shikosh, po të shikosh, e gjitha kjo ka merr kuptim kur shikon ligjin për mbrojtjen kombëtare 3000 faqe, kur është futur dhe Ballkani Perëndimor i cili u miratua me konsensus nga republikanët në 7 dhjetor dhe nga demokratët ë nga sorosistët dhe nga antisorosistët dhe u firmos nga presidenti Trump i cili sipas këtij ligjit ka 90 ditë afat për tre piketa: E para destabilizuesit në Ballkanin Perëndimor, aktorët destabilizues, sekuestrime, bllokime, heqje vizash, non grata. E dyta minuesit e demokracisë, se ka brenda ka dhe një ligj tjetër që shumë interesant për demokracinë funksionale në Ballkanin Perëndimor, se janë të lidhur dhe SPAK-u është brenda kësaj është një ingranazh. E para ishte destabilizimi. E dyta ishte minuesit e demokracisë. Dhe e treta ishte goditja e aktorëve të korrupsionit, të ish-korrupsionit, domethënë të zyrtarëve, ish-zyrtarëve të korrupsionit këtë radhë me bllokimet dhe më interesantja ishte që për herë të parë kjo bëhet në marrëveshje me Britaninë e Madhe dhe me Bashkimin Europian që s'ke ku shpëton se nuk janë vetëm asete që t'i prek, që ke punë vetëm me Amerikën, por do të kesh gati i bllokuar. Tani unë këtë e shikoj. Kjo është për gjithë Ballkanin Perëndimor”.
(A2 Televizion)