“Luftova 10 vjet për ju”, Rama kundër gjyqtarëve: S’po bëj presion, për “Ballukun”, jam palë

Nga Fjorela Beleshi
9 Dhjetor 2025, 15:12 | Politikë

Qëndrimi publik i Shoqatës së Gjyqtarëve nuk i pëlqeu Kryeministrit, i cili u kundërpërgjigj me një reagim të posaçëm ndaj tyre. Togat e zeza kërkuan që kreu i Qeverisë të ndalë mesazhet e tij mediatike sa i përket pezullimit nga GJKKO të zv/kryeministres Balluku, çështje të cilën Rama e ka dërguar në Kushtetuese.

Mesazhet e përditshme krijojnë një klimë mosbesimi ndaj gjyqësorit, e cila më pas mund të përdoret si justifikim për ndërhyrje erozive ndaj pavarësisë së tij. Kjo pavarësi vihet në rrezik jo vetëm nga veprime konkrete që synojnë kufizimin e sferës së kompetencave të këtij pushteti, por edhe nga çdo akt ose deklaratë që perceptohet si kërcënim ose presion politik ndaj veprimtarisë gjyqësore.

SHOQATA KOMBËTARE E GJYQTARËVE

Kryeministrit nuk i pëlqen kur ia vendosin kufirin te thana, ndaj ai e kundërshtoi publikisht kritikën që i vinte nga Shoqata e Gjyqtarëve, duke mohuar se ndërhyrjet e tij përbënin presion ndaj trupës kushtetuese.

Ose nuk e dinë kuptimin e fjalës presion, ose e dinë që kur ankohen për mua, nuk u hyn gjemb në këmbë, sepse unë jam ai që kam 10 vjet që nuk luftoj me ta, madje duke i përtypur në heshtje jo pak ‘lajthitje’ të dhimbshme të gjyqësorit. Mirëpo gabon shumë Shoqata e Gjyqtarëve nëse pret që unë të mbyll gojën e të mos ndaj me publikun opinionin tim, as edhe kur jam vetë palë në një gjyq kushtetues, për shkak se funksioni që mbuloj është goditur në pavarësinë e vet nga një prokuror e një gjykatës dhe rrezikon të gjymtohet për sot e për të ardhmen në shtyllën e vet kurrizore.

EDI RAMA, KRYEMINISTËR

Duke thënë se mbështet pavarësinë e drejtësisë, shefi i qeverisë e shfrytëzon këtë moment për të ngritur pretendimin se gjyqtarët janë në konflikt interesi sa i përket përballjes me të, duke rikthyer debatin e dikurshëm për rritjen e pagave të tyre me vendim gjykate, pa miratimin e qeverisë dhe Parlamentit.

Shoqata e Gjyqtarëve duhet ta dijë se do të gabonte po kaq shumë sikur të priste heshtjen time për kërkesën e saj skandaloze dhe të përsëritur ndaj Gjykatës Kushtetuese për (ri)rritjen e pagave të gjyqtarëve me vendim gjykate, duke rrëmbyer kompetencat e qeverisë dhe të parlamentit. Me (ri)kërkesën në fjalë, Shoqata e Gjyqtarëve po tenton të marrë nga buxheti i shtetit, duke anashkaluar qeverinë dhe parlamentin, një rritje të re prej plot 1600 eurosh, po po, 1600 euro plus pagës aktuale të magjistratëve e të këshilltarëve të tyre.

EDI RAMA, KRYEMINISTËR

Ditën e premte, trupa prej 8 gjyqtarësh të Kushtetueses do të mblidhet për të vendosur nëse kërkesa e Kryeministrit për çështjen “Balluku” do të kalojë për shqyrtim apo jo. Nëse Kushtetuesja do të vendosë ta kalojë në shqyrtim, trupa do të shqyrtojë edhe kërkesën e Edi Ramës që pezullimi nga detyra i Ballukut të pezullohet deri sa çështja të gjykohet në themel. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos