
Shpërndarja e turmës së protestuesve përmes makinës ujëhedhëse ishte strategjia e përdorur nga efektivët e policisë në marshim-protestën e opozitës në bulevard.
Gazetari Ervin Koçi në një raportim Live për emisionin “ÇdoKënd” nga Merita Haklaj tha se bie në sy fakti që në shënjestër të goditjeve me topa uji ka qenë kryedemokrati Sali Berisha.
Ky i fundit nuk është larguar për asnjë moment nga protesta, duke qëndruar në ballë të saj, i shoqëruar nga deputetë të PD-së.
“Janë duke hedhur ujë në drejtim të protestuesve duke tentuar largimin e tyre, dhe hera herës ajo që më ka bërë përshtypje, gjatë përplasjes së punonjësve të policisë dhe protestuesve, është që shpesh herë makina ujëhedhëse e drejton topin e ujit në vendin ku ndodhet z.Berisha. Z.Berisha vijon të qëndrojë në ballë të protestës, nuk është larguar, ndryshe nga herët e shkuara, ndonëse në drejtim të tij është qëlluar disa herë me topa uji nga makina ujëhedhëse, së bashku me deputetët e PD-së”. (A2 Televizion)