Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi u është drejtuar i revoltuar efektivëve të Policisë së Shtetit në protestë, pasi ata penguan marshimin e protestuesve në drejtim të Ministrisë së Brendshëm.
Duke iu drejtuar “uniformave blu” Bardhi theksoi se protesta ishte paqësore, dhe pyeti policinë pse provokoi protestuesit duke zbatuar urdhra sipas tij të paligjshëm.
"Po në ç’vend të botës del policia në marshim proteste paqësore? Në cilin vend të btoës pengohet protesta?
Si zbatoni urdhra të paligjshëm ju? Si pengoni një protestë në mënyrë të paligjshme? Nga kush i merrni urdhrat ju?
A ishte protesta paqësore? Pse provokoni? Pse bllokoni rrugën? A keni ligj ju apo zbatoni vetëm urdhra të paligjshëm? Shkoni dhe arrestoni Bata që kanë vjedhur shqiptarët, jo qytetarët që protestojnë kundër korrupsionit", tha Bardhi.
Reagimi i Bardhit erdhi pak minuta pas tensioneve në protestë, ku policia pengoi marshimin e protestuesve në drejtim të Ministrisë së Brendshme, duke e shpërndarë turmën me ujë. Në një moment protestuesit hodhën molotov, ndërkohë që policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës. (A2 Televizion)