Prezantohen fituesit e programit kombëtar “Startup Albania” për vitin 2025. Rama: Sot çdo i ri shqiptar mund të punojë nga shtëpia në fshat

Nga A2 CNN
8 Maj 2026, 19:47 | Politikë

Prezantohen fituesit e programit kombëtar “Startup Albania”

Në Elbasan u zhvillua takimi me fituesit e programit kombëtar të startup-eve për vitin 2025 dhe aplikantët e rinj për vitin 2026, ku u prezantuan projekte inovative dhe ide premtuese në fushën e teknologjisë dhe ekonomisë digjitale. Aktiviteti solli në fokus rritjen e shpejtë të ekosistemit të teknologjisë në Shqipëri, në një kohë kur numri i kompanive të regjistruara në këtë sektor ka arritur në 3 mijë e 300, ndërsa mbi 21 mijë specialistë janë të punësuar në industrinë e teknologjisë së informacionit dhe inovacionit.

I pranishëm në aktivitet ishte edhe Kryeministri Edi Rama, i cili vlerësoi zhvillimin e vrullshëm të teknologjisë dhe ndikimin e saj në krijimin e mundësive të reja për të rinjtë shqiptarë.

Paralelisht, është shënuar edhe një rritje me 15% e numrit të studentëve të regjistruar në degët e lidhura me teknologjinë digjitale, duke reflektuar interesin në rritje të të rinjve për këtë sektor me potencial të lartë zhvillimi.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri nënvizoi gjithashtu rolin e teknologjisë në transformimin e tregut të punës dhe krijimin e mundësive për të rinjtë që të punojnë nga Shqipëria për tregun global, duke e cilësuar këtë periudhë si një moment të favorshëm për vendin në kushtet e zhvillimit të shpejtë digjital.

“Ne sot mund ta themi lirisht atë që deri jo shumë kohë më parë ishte për të qeshur, që cilido dhe cilado ndër më të rinjtë në Shqipëri mund të punojnë në çdo vend të botës pa lëvizur nga shtëpia e tyre kudo qoftë ajo në Tiranë, në Elbasan apo në një fshat të largët, mjafton që të kenë një kompjuter dhe që të jenë të lidhur me internetin dhe jo vetëm kaq, por mund të punojnë pa lëvizur nga shtëpia e tyre dhe të paguhen shumë herë më mirë sesa çdo të paguheshin po të largoheshin nga vendi i tyre dhe të bënin një punë diku jashtë për dikë tjetër”, u tha Rama të rinjve, përcjell A2 CNN.

“Sot nuk është më për të qeshur sepse është një realitet i cili zgjerohet me shpejtësi duke integruar në perimetrin e vetë gjithmonë e më shumë të reja dhe të rinj, sidomos të reja dhe të rinj falë faktit që teknologjia ju vë në dispozicion mjete të cilat të rejat dhe të rinjtë i kuptojnë edhe i zotërojnë shumë më shpejt sesa të tjerët”.

Kryeministri shtoi se sot, teknologjia ka rritur në mënyrë eksponenciale shpejtësinë e zhvillimit. “Nëse deri dje edhe vetë teknologjia për të gjeneruar smartfonin-e ri duhej të kalonin 300 ditë dhe nga një “Apple” në një “Apple” tjetër duhej pritur shtatori tjetër, teknologjia sot po shkon në pikën që çfarë është e re në fillim të javës bëhet e vjetër në fund të javës. Çfarë është një shpikje në fillim të javës nuk është më një përjashtim në fund të javës dhe në kushtet kur kjo ndodh për vendet në zhvillim si Shqipëria, ky është një bekim shumë i madh”, u shpreh ai.

“Nëse ne do të ishim në epokën e zhvillimit linear do ta kishim shumë të vështirë që të parafytyronim transformime dhe rritje që mund t'i parafytyrojmë sot si një mundësi reale zhvillimi. Sepse nëse në zhvillimin linear prodhoheshin makinat e shtypshkrimit, të cilat fillimisht i merrnin ata që ishin më të pasur, flas shtetet, pastaj shkonin te ata që ishin më të varfër dhe kur te ata që ishin më të varfër vinte ajo gjeneratë e prodhimit, tek ata që ishin më të pasur kishte ardhur ndërkohë gjenerata tjetër e prodhimit, me teknologjinë nuk ka më një diferencë të tillë. Me teknologjinë nuk ka më pikë rëndësie se çfarë statusi social ke, edhe jo vetëm se ku ndodhesh gjeografikisht, por edhe se çfarë mjetesh financiare ke. Nëse ke talentin dhe këmbënguljen e pastaj edhe shkëndijën e një ideje që bën diferencën, je aty për të bërë sukses. Natyrisht pjesa ku hyn nevoja për të pasur dikë pranë dhe në këtë rast është qeveria shqiptare, është pjesa e atij financimit fillestar për të zhvilluar hapat e para të idesë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos