Është tensionuar protesta e thirrur sot nga opozita në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Efektivët e policisë kanë hedhur ujë në drejtim të turmës, ndërkohë që protestuesit po marshonin nga Kryeministria në drejtim të Ministrisë së Brendshme.
Gjatë marshimit protestuesit iu drejtuan “uniformave blu” me fjalët: “Polici e krimit!”, në shenjë revolte ndaj veprimeve në protestën e fundit. Policia u zhvendos në kohë pranë Galerisë së Arteve, duke hedhur ujë në drejtim të protestuesve.
Një ditë më parë kryepolici Skënder Hita tha se opozita ka marrë leje vetëm për protestën para Kryeministrisë dhe nëse do të ketë veprime anti-ligjore efektivët do të përgjigjen.
Rreth 1,500 efektivë policie janë angazhuar në terren për mbarëvajtjen dhe sigurinë gjatë protestës së opozitës.

(A2 Televizion)