Mbështetja nga Brukseli, Këshilli i BE: SPAK të ruajë pavarësinë, po sjell rezultate

Nga Fjorela Beleshi
17 Dhjetor 2025, 15:01 | Politikë

Në momentin kur në Shqipëri SPAK dhe politika ndodhen përballë njëra-tjetrës në llogore, e kur drejtuesi në largim i Prokurorisë së Posaçme ka artikuluar presione dhe ndërhyrje në punën e prokurorëve, një mbështetje për institucionet e drejtësisë së re ka ardhur nga Brukseli, shkruan A2 CNN. Këshilli i BE-së në konkluzionet e tij ka treguar mbështetjen për SPAK-un dhe e inkurajon në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Këshilli nënvizon rëndësinë e pavarësisë së gjyqësorit, duke përfshirë Strukturën e Specializuar për Antikorrupsion dhe Krimin e Organizuar, si dhe forcimin e mëtejshëm të rezistencës së sistemit të drejtësisë kundër ndërhyrjeve të brendshme ose të jashtme. Këshilli mirëpret përparimin që Shqipëria ka bërë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe e fton atë të ndërtojë më tej një histori të fortë suksesi. Këshilli mirëpret rezultatet e mira të arritura tashmë nga SPAK dhe gjykatat e tij, duke përfshirë rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.

KËSHILLI I BASHKIMIT EUROPIAN

Në këto konkluzione, BE ofron bashkëpunimin e saj me SPAK, sidomos për hetimet financiare.

Këshilli gjithashtu mirëpret bashkëpunimin e mirë me agjencitë e zbatimit të ligjit të BE-së dhe shteteve anëtare, i cili duhet të vazhdojë, duke përfshirë bashkëpunimin në hetimet financiare. Këshilli riafirmon se kontrollet e forcuara dhe kapacitetet e konsoliduara për të mbrojtur interesat financiare të BE-së janë të rëndësishme.

KËSHILLI I BASHKIMIT EUROPIAN

Por përplasja në Shqipëri nuk është vetëm ajo mes drejtësisë dhe politikës, por edhe brenda politikës. Në kohën kur dialogu politik mes shumicës dhe opozitës është frenuar, Këshilli i BE-së i rikujton Parlamentit reformat që kërkojnë gjithpërfshirje.

Këshilli rikujton rolin thelbësor të Kuvendit të Shqipërisë në diskutimin dhe miratimin e reformave të lidhura me BE-në, duke garantuar që ato të bazohen në një proces gjithëpërfshirës, konstruktiv dhe transparent. Në këtë kuadër, Këshilli bën thirrje për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe të realizuar në kohë, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias.

KËSHILLI I BASHKIMIT EUROPIAN

Edhe pse Shqipëria i ka hapur të gjithë kapitujt dhe ka një objektiv për t’i mbyllur negociatat brenda vitit 2027, Këshilli nënvizon se përparimi i thelbësorëve do të përcaktojë ritmin e negociatave.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos