Socialisti Petro Koçi ka rrëfyer një nga momentet më të forta dhe më të vështira të jetës së tij politike, duke zbuluar sakrificën që, sipas tij, i kushtoi karrierën, por ia vlejti për një arsye parimore.
Në një intervistë në emisionin “Off the Record me Andrea Dangllin”, Koçi deklaroi se është ndaluar, marrë peng nën kërcënimin e armës dhe është përballur me situata ekstreme për shkak të bindjeve të tij politike.
“Më ndaluan, më morën peng me kobure në dorë apo më kanë qethur. Nuk është ndonjë sakrificë që varej nga unë, sepse kjo është meritë e PD-së,” u shpreh ai me ironi.
Por për Koçin, sakrifica më e madhe ishte politike, kur vendosi të votonte kundër ndryshimeve kushtetuese, që i hapi rrugën sistemit aktual.
“Ajo ka qenë sakrifica më e madhe sepse unë i vura shkelmin karrierës sime për një gjë që e mendoja shumë parimore dhe për këtë jam krenar. Nuk votova atë kushtetutë. Tjetër gjë që ajo është në fuqi. Unë kam nxjerrë atëherë togfjalëshin: ‘Kthehet Republika në Kryeministrore’,” kujtoi Koçi.
Duke iu referuar bashkëpunimit të asaj kohe mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, ai e cilësoi si një “martesë politike mes Berishës dhe Ramës”, për të cilën kishte bindje të forta kundërshtuese.
“Unë nuk votova. Unë votova kundër. Dhe sipas statutit duhet të isha përjashtuar. Ajo ishte sakrifica më e madhe që kam bërë në PS,” përfundoi ai. (A2 Televizion)