Kryeministri e sheh qeverisjen në një raport pozitiv me transparencën. Edhe pse, për shembull, Këshilli i Ministrave që drejton Edi Rama nuk publikon as rendin e ditës së mbledhjes së qeverisë para se ta miratojë, apo nga ana tjetër mban sekret kornizat negociuese me BE-në dhe kontakti me gazetarët është thuajse inekzistent.
Në Konferencën për të Drejtën e Informimit, komisioneri Besnik Dervishi mendon se ligjin e kemi të mirë, por që mungon vullneti i institucioneve për të dhënë informacion. Kryeministri Rama propozoi që t’i sanksionojë ministrat që nuk përgjigjen brenda afatit.
“Duhet të sanksionohen ministrat, duhet të sanksionohen sekretarët e përgjithshëm në ditën e 11-të. Dhe në qoftë se kjo do të ndodhi në mënyrë të përsëritur disa herë, unë jam i bindur që do të krijohet një ndjesi urgjence e barabartë me urgjencën me të cilën punon sektori i gotës gjysmë bosh”, tha Rama, përcjell A2 CNN.
Mes gotës gjysmë bosh dhe asaj gjysmë plot, Komisioneri arriti të gjente pozicionin e tij. “Nëse ju jeni gota, unë i bie të jem tabakaja dhe ju garantoj që nuk do të më dridhen duart për ta derdhur ujin që është në të dhe aq më pak të thyhet gota”, tha Dervishi. “Ti je më i butë se unë se je nga lumi i Vlorës, por besoj te sanksionet sepse në fund të ditës nuk janë aty kot”, tha Rama.
Pas shumë kohësh rezistence, Kryeministri Rama u dorëzua përpara kërkesës së BE-së për të depenalizuar shpifjen. “Do ta bëjmë për gazetarët, jo për politikanët dhe jo për të zgjedhurit. Kush zgjidhet nga populli duhet të dënohet nëse shpif, kjo është bindja jonë. Kush zgjidhet nga populli duhet të dënohet nëse shpif, ndërsa kush punon për të informuar popullin për ne të zgjedhurit, duhet të shpifë pa u dënuar”, tha Rama
Ndërsa është në pritje për një ndryshim të qëndrimit të unionit për sa i përket ligjit për mediat online. “Unë nuk besoj tek autorregullimi i shqiptarëve. Nuk kemi ndërmend të vëmë dorë në këtë drejtim, përveçse pasi BE t’i ketë thirrur mendjes vetë plotësisht dhe ta ketë bërë gjënë që duhet ta bënte me kohë”, tha ai.
Kryeministri dha edhe një përgjigje nëse futja e teknologjisë në vendimet qeveritare mund të evitojë dhënien e llogarisë. Sipas tij, kjo nuk do të ndodhë, madje, sipas tij, marrja e informacionit do të jetë më e thjeshtë. (A2 Televizion)