Media përballë opozitës dhe qeverisë, Rama: Marrëdhënia e Shqipërisë me BE-në, më e afërt se kurrë

Nga A2 CNN
10 Maj 2026, 10:11 | Politikë

Media përballë opozitës dhe qeverisë, Rama:

Kryeministri Rama hodhi poshtë dhe njëherë pretendimet se negociatat mes Unionit europian dhe vendit tonë janë bllokuar. Në podcastin e radhës, kryeministri Edi Rama renditi disa prej zhvillimeve kryesore që sipas tij dëshmojnë avancimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimi Europian, forcimin e shtetit të së drejtës dhe modernizimin e qeverisjes në vend.

Një ditë pas ditës së Europës, Rama theksoi se Shqipëria se negociatat me BE-në kanë avancuar me ritëm të shpejtë dhe se vendi ka përmbushur detyrimet kryesore për të kaluar në fazën e mbylljes së kapitujve.

“Për herë të parë pas shumë dekadash rruga drejt Bashkimit Europian nuk duket më si një horizont i largët, por si një majë tanimë e kapshme me sy dhe e arritshme në kohën që kemi në dispozicion.  Negociatat kanë avancuar me ritëm, kapitujt janë hapur në kohë rekord, marrëdhënia me Bashkimin Europian ndërtohet ditë pas dite me rezultate konkrete dhe tani  Komisioni Europian dhe vendet anëtare përmes ambasadorëve të tyre janë në një fazë kyçe të procesit ku diskutojnë raportin e Komisionit, i cili nënvizon se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha detyrat e shtëpisë dhe është e gatshme të hyjë në fazën e mbylljes së kapitujve duke kaluar përmes piketave të ndërmjetme dhe e gjitha kjo nuk ka ardhur rastësisht ka ardhur me punë, ka ardhur me rezultate, ka ardhur nga një proces transformues që vazhdon në çdo sektor”.

Ai tha se “reforma në drejtësi, transformimi i administratës, digjitalizimi i shërbimeve, modernizimi i ekonomisë, investimet dhe transformimet në energji, infrastrukturë, standarde të reja në sektorët strategjik nuk janë pjesë të shkëputura dhe asnjë listë fjalësh pas të cilave ka pak përmbajtje, por janë hallkat e një zinxhiri gjithnjë e më solid të ndërtimit të shtetit europian të shqiptarëve”.

Gjatë fjalës së tij kreu i qeverise veçoi dhe raportin e medias me qeverinë dhe opozitën.

“Këtë javë postova një analizë të bërë nga një startup djemsh të talentuar shqiptarë me inteligjencën artificiale për të grumbulluar dhe vlerësuar kahjen e qëndrimeve mediatike e artikujve dhe vlerësimeve, komenteve në median tradicionale dhe në median online në raport me politikën dhe e postova sepse ishte një pasqyrë që mua personalisht nuk më surprizon pasi unë dhe ne e dimë shumë mirë realitetin faktik të raportit mes medias dhe qeverisë dhe shumicës qeverisëse që nuk është gjëkundi realiteti i pretenduar nga ulëritësit që nuk dinë ç’të bëjnë tjetër me lirinë e medias, përveçse të ankohen për mungesën e lirisë, por që ishte një pasqyrë sipas meje e vlefshme për t'u ndarë me shumëkënd që do të informohet, me shumëkënd që është i interesuar për fakt dhe me shumëkënd që në të gjitha rastet nuk e humb respektin për faktet dhe nuk hyn në luftë me faktet se kur faktet provojnë një opinion të ndryshëm nga i tij apo i saj, dhe në këtë pasqyrë rezulton qartësisht se nga gjithë tërësia e produkteve të medias në raport me politikën 60% e kohës televizive në Shqipëri në total e merr opozita në kuptimin e qëndrimit anti qeverisë, një pjesë tjetër, analiza faktike e nxjerrë si të balancuar dhe një pjesë shumë të vogël si pro qeverisë. Ndërkohë që po e njëjta situatë pak a shumë është dhe në median online. të cilat anojnë qartësisht nga fronti nga kampi, nga fusha e atyre që janë kundër qeverisë dhe për këtë mua sinqerisht më vjen mirë pasi bëhet e qartë që këtu nuk jemi në një vend mediash të kapura, këtu nuk jemi në një vend ku mbyllen gojët e atyre që flasin”, u shpreh Rama.

Kryeministri u ndal edhe te Kongresi Botëror i Ligjit, i cili u zhvillua në Tiranë, që sipas Ramës ishte  dëshmi e transformimit të Shqipërisë në raport me sundimin e ligjit dhe funksionimin e institucioneve demokratike. Sipas tij, fakti që Tirana mirëpret një platformë të tillë ndërkombëtare tregon se vendi po fiton besim dhe respekt në arenën ndërkombëtare për progresin e bërë në drejtësi.

Një tjetër zhvillim që Rama veçoi ishte lançimi i programit EU4Municipalities II, i mbështetur nga Bashkimi Europian, që synon forcimin e kapaciteteve të pushtetit vendor dhe përgatitjen e bashkive shqiptare për përthithjen e fondeve europiane. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos