
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza ndaj kreut të Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato.
Berisha e ka quajtur Gonzaton “ambasador të Edi Ramës”, duke pretenduar se ai ka transmetuar informacione të pavërteta në Bruksel kundër opozitës shqiptare.
Sipas Berishës, Gonzato është i unifikuar në qëndrime me qeverinë Rama dhe ka tentuar ta paraqesë opozitën si jo të angazhuar për integrimin europian.
Ai shtoi se kjo nuk është e vërtetë dhe se, sipas tij, edhe përfaqësues të tjerë të BE-së e kanë vlerësuar ndryshe qëndrimin e opozitës.
“Për sa i përket ambasadorit aktual, unë kam shprehur se ky sillet sikur të ishte ambasadori i Edi Ramës, pasi ky zotëri, në mënyrë të vërtetuar, ka transmetuar në Bruksel trillime më të pavërteta ndaj opozitës. Sikur opozita nuk është për integrimin. Për të mos treguar edhe shumë të tjera. Dhe se kur diskutohet pse nuk iu hoq imuniteti Lubi Ballukut, shkëlqesia e tij, Gonzato, thotë se ky është interpretimi shqiptar i imunitetit.
Në një kohë kur prej vitit 2009, 2010, 2011, sa herë ka kërkuar Prokurori i Përgjithshëm, janë hequr imunitetet pa asnjë koment, zv.kryeministrit, ministrave e me radhë.
Por ne jemi ata që i themi gjërat haptazi. Dhe është përpjekur në shumë mënyra ta paraqesë opozitën si jo të orientuar drejt integrimit, por ka dështuar. Eksponentë të rëndësishëm të BE-së ia kanë bërë të qartë se opozita dhe PD-ja janë thellësisht të pozicionuara për integrimin në BE dhe janë partnerët tanë, i është thënë shkëlqesisë së tij.
Ai ka bërë zgjedhjen e tij, është unifikuar me Edi Ramën dhe sa herë thoja unë ndonjë të vërtetë, bashkë me ndonjë lobist tjetër në KE, lëshojnë deklarata. Unë shqiptarëve dhe partnerëve evropianë do t’u them të vërtetën dhe vetëm të vërtetën”, tha Berisha. (A2 Televizion)