Mediu thirrje për revoltë qytetare më 22 Dhjetor: Zgjedhje farsë, shteti i kapur nga krimi dhe korrupsioni

Nga A2 CNN
21 Dhjetor 2025, 09:21 | Politikë

Mediu thirrje për revoltë qytetare më 22 Dhjetor: Zgjedhje

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, bëri thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e opozitës më 22 dhjetor, duke theksuar se beteja për ndryshimin e realitetit politik nuk i përket vetëm partive opozitare, por çdo qytetari që kundërshton krimin, korrupsionin dhe kapjen e shtetit.

Mediu iu referua raporteve ndërkombëtare, ku OSBE/ODHIR ka denoncuar zgjedhjet si farsë, me shtetin dhe Partinë Socialiste të shkrirë në një, duke përdorur fondet publike për blerje votash dhe duke lejuar ndikimin e krimit të organizuar në procesin zgjedhor. Ai theksoi se arrestimi dhe procedimi i liderëve të opozitës para zgjedhjeve ishte një veprim politik në shërbim të pushtetit.

Sipas Mediut, shqetësime serioze janë ngritur edhe nga IDU, Partitë Popullore Europiane dhe Kongresi Amerikan, të cilat kanë paralajmëruar se në Shqipëri po cenohen pluralizmi, zgjedhjet e lira dhe shteti i së drejtës, ndërsa krimi dhe korrupsioni përbëjnë rrezik për vendin dhe rajonin.

Në këtë kontekst, Mediu theksoi se vetëm një bashkim i gjerë i opozitës dhe qytetarëve në një lëvizje të fuqishme masive mund t’i japë fund qeverisjes së Edi Ramës që po zbraz vendin dhe po rrezikon të ardhmen e Shqipërisë dhe të kombit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos