Është hera e pestë që Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, mbërrin në Shqipëri. Ajo nis sot turin në Ballkanin Perëndimor dhe ndalesa e parë është Tirana.
Në shtator të vitit 2021 ishte vizita e parë e Von der Leyen në Shqipëri, ku dha edhe sinjalet e para pozitive për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare për vendin tonë. “Ne kemi kërkuar shumë prej jush dhe ju i keni përmbushur, prandaj shpresoj shumë që të fillojmë me konferencën e parë ndërqeveritare, këtë synim kam”, do të thoshte gjermanja asokohe, raporton A2 CNN.
Ishte kriza e çmimeve të energjisë e vitit 2022 që riktheu Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në datën 27 tetor në Tiranë. Ajo tregoi se Shqipëria do të merrte një fond prej 80 milionë eurosh për përballimin e krizës. “Prandaj do të jenë 80 milionë euro, do të keni mbështetje afatgjatë për energjinë, po flasim për 500 milionë euro që do të shtrihen në të gjithë rajonin”.
Tirana bëri bashkë të gjithë liderët e Europës në 6 dhjetor të 2022, ku për herë të parë samiti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor u mbajt jashtë territorit të Unionit. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, Ursula von der Leyen foli për përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë drejt BE-së. “Shikojmë një lëvizje në këtë proces, ka qenë vërtet një hap historik çelja e negociatave”.
Samiti njëditor i Procesit të Berlinit riktheu në mesin e shqiptarëve edhe një herë Ursula von der Leyen më 16 tetor të 2023. “Duke punuar mund të vijnë edhe financimet, vetëm duke punuar së bashku do të bëjmë të mundur që vendet e Ballkanit të jenë aty ku u takon, në zemër të BE-së”.
Aktualisht, Shqipëria ka nisur punën për grupkapitullin e parë të negociatave për integrimin drejt Bashkimit Europian. (A2 Televizion)