I ftuar në emisionin “Ditari i Pasdites” nga Pandi Gjata, avokati Alfred Duka foli mbi kushtet e burgjeve në Shqipëri dhe në specifikë për çështjen e ish presidentit Meta. Meta shqetësoi opinionin publik dhe median në përgjithësi me gjendjen e tij fizike dhe pati mjaft aludime edhe për gjendjen e tij mentale.
"Kushtet e paraburgimit janë kushte të rënda, më tepër sesa në vendet përreth, që unë kam pasur rastin t’i shikoj. Ka një rrethanë që nuk mund ta lë pa e përmendur. E para, Ilir Meta, Sali Berisha, Erion Veliaj, Edi Rama pak më vonë, të gjithë këta kanë përgjegjësi për nivelin e trajtimit të paraburgosurve dhe të burgosurve shqiptarë".
Avokati theksoi përgjegjësinë që figurat e larta politike në Shqipëri kanë për trajtimin jo dinjitoz të të burgosurve dhe të paraburgosurve, duke tërhequr paralele me rastin Meta dhe sesi ish presidenti dhe figurat e tjera nuk janë kujtuar për gjendjen nëpër burgje deri në momentin që janë përballur vetë me të njëjtat kushte si mijëra shqiptarë të tjerë.
"Kanë përgjegjësi në lidhje me akomodimin e tyre në sallat e gjykimit, kanë përgjegjësi për mënyrën sesi aplikohet e drejta e të pandehurve apo e të dënuarve në Republikën e Shqipërisë, për shkak se kanë pasur në dorë për të inspektuar zyrtarisht gjendjen e paraburgimit në Shqipëri. Ilir Meta ka pasur në dorë, si kryeparlamentar, si kryeministër, si president dhe si kryetar i një partie politike. Tani që u ra në kokë, tani kujtohen të gjithë. Përse nuk kujtohen për mijëra e mijëra shqiptarë që kanë kaluar atë kalvar më të keq sesa Meta dhe më të keq sesa të tjerët?! Kur vjen zjarri aty afër, kujtohesh se vërtet shtëpia jote mund të digjet".
Avokati Duka konsideroi se një ndër arsyet e kësaj neglizhence është dhe mungesa e cilësisë së burrështetasit. Avokati gjithashtu evokoi qëllimet dhe synimet e burgosjes, ku ndër të tjera, riedukimi dhe riintegrimi në shoqëri janë pika kyçe.
"Kjo tregon se në Shqipëri mungojnë burrat e shtetit me vizion human ndaj kësaj pjese të shoqërisë. Burgu ka dy qëllime: e para, për ta larguar delinkuentin nga ambienti publik, që është një masë e shpejtë, e përkohshme dhe që zgjat në bazë të masës së dënimit që merr; por qëllimi tjetër është riedukimi dhe riintegrimi i tij në shoqëri".
Në përfundim, Duka konsideroi që ish presidenti duhej të kishte marrë një trajtim më dinjitoz dhe e konsideroi këtë si një "rregull të pashkruar që respektohet në gjithë botën".
"Këto dy hallka në shoqërinë tonë mungojnë. Në qeli, ish-presidenti duhej trajtuar në mënyrë dinjitoze. Në dijeninë time, nuk është trajtuar kështu. Ky është një rregull i pashkruar dhe në gjithë botën respektohet në këtë mënyrë". (A2 Televizion)