Meta në kafaz, Berisha: Akt çnjerëzor, të lirohet sa më shpejt

Nga Anesti Barjamemaj
28 Prill 2026, 15:14 | Politikë

Sali Berisha priti 24 orë për të reaguar. Një ditë pasi aleati i tij, Ilir Meta, u shfaq pas më shumë se një viti e gjysmë me pamje të ndryshuar në kafazin e qelqtë në Gjykatën e Posaçme, foli për trajtim çnjerëzor dhe hakmarrje të Edi Ramës ndaj kundërshtarëve politikë.

Në një konferencë për mediat, lideri demokrat tha se transmetimi i live i seancës gjyqësore, është një rikthim i kohës së Enver Hoxhës me gjyqet politike. “Partia Demokratike denoncon dhe dënon me forcën më të madhe arrestimin, paraburgimin, qëndrimet çnjerëzore në burg dhe në sallën e gjyqit, të urdhëruara direkt nga Edi Rama, bastardi i bllokmenëve hoxhistë ndaj kryetarit të PL, Ilir Meta dhe kërkon lirimin e tij të menjëhershëm nga paraburgimi”, tha Berisha, përcjell A2.

Por Berisha pritet që në ditët në vijim të përballet vetë me drejtësinë, pasi çështja në ngarkim është në fazën e gjyqimit. Njësoj si Meta edhe Berisha kërkon që seanca të jetë me kamera, pasi siç thotë nuk ka asgjë për t’i fshehur qytetarëve. “Unë mendoj dhe kam bindjen më të thellë se çdo seancë, përjashtuar ato të cilat kanë sekrete të sigurisë dhe mbrojtjes së vendit, duhet të jenë publike dhe vetëm publike. Kjo është një normë për çdo vend të lirë”.

Gjatë konferencës për mediat, Berisha u pyet edhe për zhvillimet brenda PD, ku teksa po bëhet një vit nga zgjedhjet e 11 majit, lideri demokrat pohon se analiza e humbjes nuk ka përfunduar ende. “Analiza e PD po bëhet në të gjitha degët, në disa prej tyre është proces në vazhdim, por gjithçka po zhvillohet në përputhje me rregulloret dhe statutin”.

Analiza e humbjes kërkon kohë të përfundojë, por demokratët në 23 Maj do duhet të votojnë për kryetarin e ri që deri më tani kandidat është vetëm Berisha. “Diktaturat nuk bëjnë zgjedhje. Ata që duan zgjedhje, ata duan të përmbysin diktatorin”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos