Ministri i Drejtësisë sfidon ndërkombëtarët: Si do e "prekim" reformën në drejtësi

Nga A2 CNN
11 Shkurt 2026, 19:07 | Politikë

Në kulmin e polemikave të kryeministrit Edi Rama me sistemin gjyqësor, ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, shpjegon se çfarë ndërmend të bëjë mazhoranca socialiste, kur thotë se do të ndërhyjë te ligjet e Reformës. Në një intervistë për A2, Lamallari tha se vullneti qeveritar për të dhënë më shumë drejtësi për qytetarët është edhe detyrim për të adresuar çështjet që mund të përmirësohen.

“Të mos lëmë pa adresuar me objektivitet çështje si zvarritja e çështjeve gjyqësore, procedimet penale, garancitë ligjore që duhet të ekzistojnë për qytetarët shqiptarë, mekanizmi disiplinor i gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët zvarrisin pafundësisht publikimin e vendimeve të dhëna. Çështje të tjera të ndjeshme si vakancat”.

Për Lamallarin, nevoja për përmirësimin e reformës lidhet drejtpërdrejt edhe me synimin e mbylljes së negociatave me BE-në.

“Nuk ka kuptim që ne të mos adresojmë çështje që vijnë nga ankesat e qytetarëve, në lidhje me drejtësinë që ata marrin”.

Referuar zhvillimeve në Gjykatën Kushtetuese mbi pezullimin e zv.kryeministres Belinda Balluku, ministri i Drejtësisë konfirmoi nevojën e një ndryshimi ligjor, por nuk dha një përgjigje nëse ndryshimet e njoftuara nga kryeministri Rama do të prekin vetëm Kodin e Procedurës Penale apo edhe Kushtetutën, shkruan A2 CNN.

“I takon grupit parlamentar socialist të gjejë zgjidhjet e duhura ligjore, cilado qofshin ato, të përshtatshme për të ndarë njëherë e mirë këtë moment. Në këtë moment nuk mund ta them cilat do të ishin ndërhyrjet e nevojshme. Sigurisht, Ministria e Drejtësisë, si për çdo akt që miratohet, i qëndron rolit të vet kushtetues”.

Pas alokimit të një fondi prej 1.4 miliardë lekësh për kompensimin financiar për 13 mijë familje ish-pronarësh, fundvitin e shkuar, Lamallari bëri një apel për ish-pronarët që kanë dokumente jo të plota në aplikimet e tyre.

“Të paraqiten pranë ATP-së. Do të ketë një ditë të dedikuar, ku të gjithë specialistët, juristët, do të vihen në dispozicion për të ndihmuar qytetarët, për t’u siguruar që dosja është e plotësuar. Nëse duhet një dokument tjetër, të asistohen, në mënyrë që të kemi një numër më të lartë se ai i vitit të shkuar”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos