Policia norvegjeze për krimet ekonomike ka bërë të ditur se ka filluar hetimin ndaj Ish-Sekretarit të Përgjithshëm norvegjez, Thorbjorn Jagland në lidhje me përfshirjen e tij në skandalin Epstein. Masa vjen pas vendimi të Këshillit të Evropës, institucioni kryesor i të drejtave të njeriut në kontinent, i cili ka njoftuar se ka vendosur t’i heqë imunitetin diplomatik ish-sekretarit të përgjithshëm norvegjez.
Vendimi për hetimin e Jagland, i cili drejtoi Këshillin e Evropës nga viti 2009 deri në vitin 2019, u bazua në informacione të zbuluara nga dokumente të reja të publikuara në SHBA lidhur me Epstein, financieri amerikan i dënuar për krime seksuale, i cili vdiq në burg në vitin 2019.
Avokati i Jagland, Anders Brosveet, deklaroi se heqja e imunitetit ishte e pritshme dhe se klienti i tij do të bashkëpunojë me hetimin për të sqaruar çdo çështje, shkruan Reuters.
“Ai e merr këtë çështje shumë seriozisht, por thekson se beson se nuk ekzistojnë rrethana që përbëjnë përgjegjësi penale”, thuhet në deklaratën e avokatit. Sipas autoriteteve, për të zhvilluar hetimin ishte e nevojshme heqja e imunitetit. Ministria e Jashtme e Norvegjisë i kërkoi Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku bëjnë pjesë 46 shtete, të miratonte këtë masë.
Jagland nuk është akuzuar për ndonjë vepër penale, por hetimi do të shqyrtojë nëse ai ka marrë dhurata, udhëtime apo hua në lidhje me pozicionin e tij zyrtar. Në një letër të datës 8 shkurt, policia norvegjeze theksonte se Jagland, si sekretar i përgjithshëm i zgjedhur, do të kishte shkelur besimin e veçantë që lidhet me postin nëse do të kishte pranuar ryshfet.
Dokumentet e reja të publikuara në SHBA kanë nxjerrë në pah lidhje të shumta të Epstein me politikanë, figura mbretërore dhe persona me ndikim në Evropë dhe SHBA. Sipas këtyre dokumenteve, në vitin 2014 Jagland dhe asistentët e Epstein kishin bërë plane të detajuara për një vizitë të mundshme të Jagland, bashkëshortes së tij, dy fëmijëve dhe të dashurës së djalit të tij në Palm Beach dhe në ishullin privat të Epstein në Karaibe.
Jagland ka mohuar se ka vizituar ndonjëherë ishullin privat të Epstein. Po ashtu Jagland rezulton i përfshirë edhe në rastin e Shqipërisë ku në një shkëmbim emailesh i bën të ditur Jeffrey Epstein se Tirana ka vajza të mrekullueshme. (A2 Televizion)