Kanë kaluar tre muaj nga momenti kur kryeministri Edi Rama i bëri një kërkesë të drejtpërdrejtë ministres së re të Brendshme, Albana Koçiu, gjatë prezantimit të saj në detyrë.
Një kërkesë që lidhej me një problem themelor për shtetin shqiptar, mungesën e një sistemi funksional dhe të saktë të adresave për vendbanimet shqiptare, shkruan A2.
Rama vuri në dukje se, edhe pas 35 vitesh ndryshime të mëdha demografike dhe urbane, Shqipëria ende nuk ka një regjistër adresash që të funksionojë siç duhet për qytetarët, institucionet dhe shërbimet publike.
Kryeministri e konsideroi rregullimin e adresave si një domosdoshmëri për funksionimin e shtetit, nga shërbimet emergjente, te posta, administrata publike dhe proceset zgjedhore.
Por sot, tre muaj pas kësaj kërkese publike, Ministria e Brendshme nuk ka bërë të ditur asnjë nismë konkrete, asnjë draft pune apo plan veprimi për rregullimin e sistemit të adresave në vend.
Edhe përpjekjet për të marrë informacion zyrtar kanë mbetur pa përgjigje.
Ndërkohë, problemi mbetet i njëjtë, mijëra banesa pa adresa të sakta, qytetarë që orientohen me përshkrime dhe jo me numra, dhe një shtet që ende nuk arrin të formalizojë vendbanimet e tij. Një kërkesë publike nga kryeministri, por pa asnjë hap konkret nga institucioni që duhet ta zbatojë. (A2 Televizion)