Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, e quajti pazar uljen e opozitës me socialistët për disa reforma, mes të cilave ajo territoriale, zgjedhore dhe për miratimin e rregullores së Kuvendit. Sipas tij, PD nuk duhet të jepte votat për të forcuar komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, që drejtohet nga deputeti socialist Fatmir Xhafaj.
Në rregulloren e re, të miratuar të enjtën në mbrëmje, u vendos që kreu i SPAK nuk do të raportojë më në seancë plenare përpara të gjithë Kuvendit, por do të raportojë vetëm në komisionet parlamentare, mes të cilave edhe ai “Xhafaj”.
“Si ka mundësi që ti i jep votat për të rritur pushtetin e Komisionit Xhafaj, për ta kontrolluar SPAK-un. Se ky është synimi, që nëpërmjet komisionit parlamentar, të nismave qyteytare, drejtuar nga Fatmir Xhafaj, do të jetë i vetmi që do të kontrollojë sistemin e drejtësisë”, tha Alibeaj i ftuar në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN.
“Do të miratojë rezoluta, do të shkojë të bëjë vizita monitoruese, do të propozojë ndryshime ligjore... Si ka mundësi ti i jep votën, për çfarë? Ku është interesi publik këtu? Si ka mundësi, ti jep votën, që në luftën mes Ramës dhe SPAK-ut, ti heq mundësinë që SPAK-un ta kesh si aleat? Ta kesh aty në Parlament, t’ia numërojë ai një për një, ç’ka bërë Rama me të vetët. Jo! Ti voton që mos duket fare SPAK-u. Për çfarë, për tre këshilltarë? E njëjta gjë edhe me reformën territoriale-administrative dhe për ndryshimet kushtetuese. Kjo është mungesa e interesit publik, shohin vetëm interesin e tyre”, shtoi ai. (A2 Televizion)