
Kryeministri Edi Rama ftoi kryeministren e Japonisë, Sanae Takaichi, në Samitin e NATO-s që do të zhvillohet vitin e ardhshëm në vendin tonë.
“Vitin e ardhshëm, Samiti i NATO-s do të zhvillohet në Shqipëri dhe si vend organizator kam kënaqësinë t’iu ftoj të merrni pjesë në të”, i tha Rama homologes japoneze gjatë takimit në Tokio, përcjell A2 CNN. “Do të jeni gjithashtu kryeministri apo kryeministrja e parë e Japonisë që viziton vendin tonë”.

Vizita në Japoni vjen pas asaj në Korenë e Jugut, ku mori pjesë në Samitin e Lidershipit Aziatik. Kryeministri Rama u prit me ceremoni të lartë shtetërore në Tokio.
“Vëmendja dhe interesi i saj ndaj Shqipërisë përbëjnë një vlerësim të rëndësishëm për transformimin dhe përparimin e vendit tonë, si edhe për potencialin e madh të bashkëpunimit mes dy vendeve tona. Ky potencial u pasqyrua qartë në vullnetin e përbashkët për ta zgjeruar partneritetin në fusha me rëndësi strategjike, si ekonomia, teknologjia, energjia, mbrojtja dhe turizmi”, tha Rama në një postim në Facebook.

“Ishte kënaqësi e veçantë t’i përcillja Kryeministres Takaichi ftesën për të vizituar Shqipërinë vitin e ardhshëm, jo vetëm për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s që do të zhvillohet në vendin tonë, por edhe për një takim dypalësh, me bindjen se miqësia dhe bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Japonisë do të vazhdojnë të forcohen në vitet që vijnë”. (A2 Televizion)