
Kryeministri Edi Rama ishte këtë të hënë në Vlorë, ku zhvilloi një takim me operatorët turistikë, ndërsa u ndal gjatë te projekti i shumëdiskutuar në Ishullin e Sazanit.
Rama theksoi qartë se ishulli nuk është shitur dhe nuk do të shitet, duke garantuar se ai do të mbetet pronë e Republikës së Shqipërisë.
“Nuk e kemi shitur dhe nuk e shesim ishullin. Sazani është pronë e Republikës së Shqipërisë dhe do të mbetet i tillë,” u shpreh kryeministri.
Ai sqaroi se negociatat për projektin nuk kanë përfunduar ende, ndërsa shteti shqiptar do të jetë pjesë e drejtpërdrejtë në investim.
“Ne nuk e kemi përfunduar negociatën për Sazanin, sepse Republika e Shqipërisë do të jetë pjesë e kompanisë së përbashkët që do të investojë dhe administrojë ishullin,” tha Rama.
Kreu i qeverisë bëri të ditur se projekti ka ndryshuar ndjeshëm, si në koncept ashtu edhe në ndërtim.
"Projekti i Sazanit ka ndryshuar si proces si projekt ndërtimi, do ketë shumë pak ndërtime. Do ketë profil kulturor, artistike.
Do të jetë nga projektet më të bukura në Mesdhe. Bashkë me pjesën përballë Sazanin, me arkitektët më të mëdhenj të botës, do jetë një zhvillim që do i rrisi vlerën gjithë zonës.
Ata që shikojnë ngushtë dhe flasin po e marrin të huajt nuk kanë si ta kuptojnë çfarë impakti kanë zhvillime të tilla për gjithë pronën rrethrrotull.
Do rritet vlera dhe çmimi i gjithë investimeve që do bëhen. Pa diskutim që kjo do jetë sjellë të mira për Vlorën. E rëndësishme që operatorët turistikë të jenë strateg për fatin e investimeve të tyre. Në 5 deri 10 vjtetë e ardhshëm.", shtoi kryeministri. (A2 Televizion)