“Molotovi nuk është zgjidhje”, raportuesi i PE: Të mos preket SPAK, thelbësor për integrimin

Nga Fjorela Beleshi
30 Janar 2026, 15:15 | Politikë

Raportuesi i Parlamentit Europian për Shqipërinë, Andreas Schieder, edhe pse kishte mbetur i kënaqur me takimet në Tiranë me të gjithë aktorët politikë, nuk harroi të nënvizojë qasjen e Brukselit ndaj vendit tonë.

Çdo shkop nën rrota ndaj SPAK mund të rrezikojë integrimin e Shqipërisë në BE: “Ne mbështesim plotësisht punën e SPAK. Është thelbësore që veprimtaria e SPAK të mos ndërpritet nga aktorë të tjerë dhe që institucionet e tjera shtetërore ta mbështesin punën e tij. Çdo ndryshim që minon reformën në drejtësi dhe punën e SPAK mund të sjellë dëme serioze në reputacionin e Shqipërisë në BE dhe do të rrezikonte të përmbyste bilancin pozitiv në luftën kundër korrupsionit të arritur vitet e fundit. Shqipëria duhet të forcojë luftën kundër korrupsionit, të dekriminalizojë plotësisht shpifjen dhe të sigurojë transparencën e pronësisë dhe financimit të medias, ndër të tjera”.

I pyetur nëse në gjetjet e tij do të raportonte mbi zvarritjen e Këshillit të Mandateve në Parlament për autorizimin e kërkuar nga SPAK për arrestimin e zv/kryeministres, euroodeputeti që i përket spektrit të majtë politik, u shpreh optimist se Parlamenti do marrë vendimin e duhur: “Ne thamë gjithashtu që tëgjitha institucionet duhet të mbështesin punën e SPAK, por nuk është puna e PE të bëjë komente mbi çështje gjyqësore. Jam i sigurt që në Parlamentin e Shqipërisë do të bëhen të gjithë diskutimet e duhura sipas Kushtetutës dhe Rregullores dhe do të merren vendimet e duhura. Në disa çështje mund të marrësh vendim shpejt, në disa të tjera mund të kërkohet të shohësh më shumë në dokumenta apo të kërkosh me shumë informacion”.

Më i drejtëpërdrejtë ishte në raport me opozitën, duke u bërë thirrje që zgjidhja nuk janë molotovët, por diskutimet konstruktive, si në një demokraci normale: “Ka ardhur koha që kultura politike në Shqipëri të bëjë një hap para, të mos dramatizohet çdo gjë, të mos fillohet me molotovë, por të luftohet fort me argumente në skenën politike, aty ku duhet. Kjo vlen edhe për opozitën, edhe për qeverinë. Ndonjëherë e ke qejf dikë, ndonjëherë e urren. Mendoj që është edhe më e rëndësishme që të gjejmë mesin e artë. Zgjedh funksionimin normal të një demokracie”.

Pas kritikës për opozitën, raportuesi për Shqipërinë kishte ankesa edhe për mediat. Gjatë aktivitetit të tij në qendër të Tiranës, ai kishte parë një vend normal, pa kriza të mëdha: “Javën e shkuar pamë fotografi në media për protestat që dukeshin dramatike. Pastaj, kur vjen këtu dhe sheh një situate më pak dramatike. Duhet të jeni të ndërgjegjshëm dhe për perceptimin që prodhoni nga mediat në mendjen e qytetarëve evropianë”.

Eurodeputeti i majtë nuk e fshehu aspak mendimin për kryetarin e PD, Sali Berisha: “Mos më pyesni për të komentuar gjithçka çfarë thotë Berisha sepse do të më duhet të dal nga roli im insitucional pastaj”.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos