Gazetari Egon Loli ka komentuar njoftimin e Ambasadës Amerikane në Tiranë ku paralajmërohet për rreziqe të mundshme sigurie, duke theksuar se nuk duhet përhapur panik, ndonëse nuk e përjashton mundësinë që ambasada të ketë edhe informacione konkrete.
Duke folur në emisionin “Dita Jonë” në A2CNN gazetari shprehet: “Jam i prirur që të qëndroj më pranë përgënjeshtrimit të qeverisë ditën e djeshme, që thotë se është hamendësim i Ambasadës Amerikane. Kur selitë diplomatike bëjnë paralajmërime, tregojnë se kanë informacione për zhvillime të caktuara, ato përgjithësisht duhen marrë seriozisht”.
Megjithatë, ai theksoi se njoftimi i bërë është tepër i përgjithshëm dhe nuk jep detaje konkrete që mund të ndihmojnë institucionet apo qytetarët të reagojnë në mënyrë të qartë.
“Ambasada po paralajmëron për sulme të mundshme në restorante dhe qendra turistike, por kjo është shumë e përgjithshme. Shqipëria është e gjitha një destinacion turistik, ka pa fund vende ku turistët mund të kalojnë kohën,” u shpreh Loli.
Sipas tij, një paralajmërim i tillë e bën praktikisht të pamundur marrjen e masave të plota të sigurisë në çdo hapësirë publike.
“Është e pamundur edhe nga pikëpamja e sigurisë që të marrësh masa të plota për këtë gjë. Duke qenë se nga ana e qeverisë ka dalë një reagim, ku informacionet quhen hamendësime, jam i prirur për të mos përhapur panik,” përfundoi gazetari. (A2 Televizion)