Mungesa e debatit sjell regres. Kështu deklaroi në studion e Debatit në A2 CNN, ministrja e Bujqësisë Anila Denaj, duke folur për mungesën e diskutimeve me opozitën për buxhetin e vitit 2024. Sipas saj nismat e opozitës nuk u prezantuan për shkak te bllokimit të kuvendit.
“Debati sjell progres dhe mungesa e debatit është regres aq më tepër në një klimë të tensionuar. Nismat e opozitës janë të rëndësishme për tu sjellë në vëmendje të gjithë parlamentarëve dhe nuk u prezantuan për shkak te bllokimit dhe ky është një nivel i ulët i përfaqësimit. Debati konstruktiv sjell vetëm përmirësim.
Duke iu përgjigjur akuzave të Sali Berishës për buxhetin, i cili e konsideroi atë klandestin Denaj u shpreh se ato janë të pavërteta dhe sipas saj janë nga ata që e kanë krijuar këtë kaos.
“Nuk kthej përgjigje për akuza të pavërteta dhe për ata që e kanë krijuar këtë kaos dhe janë përgjegjës për këto komunikime që janë brenda legjitimitetit për të funksionuar shteti dhe procedura për të aprovuar një buxhet që nuk është i mazhorancës dhe shifrat nuk janë të PS, por të gjithë popullsisë së prekur duke filluar nga shtresat në nevojë”.
Edhe për ekspertët e ekonomisë, buxheti pa debat është një fatkeqësi, pasi oponenca është e domosdoshme.
“Është kushtetuta financiare e vendit. Përfaqësimi i të gjitha kaheve është i rëndësishëm. Një buxhet pa debat, oponenca është e domosdoshme e buxhetit. Oponenca do të korrigjonte dhe do të balanconte dhe do ishte më e ekuilibruar nëse votohej”, tha eksperti Artan Gjergji.
“Fatkeqësi kombëtare që nuk kemi mendimin e deputetëve të opozitës. Kemi humbur shumë”, u shpreh Fatos Çoçoli. (A2 Televizion)