Sali Berisha i mbylli dyert mazhorancës për të bashkëpunuar për ligjin e referendumeve. Pak minuta pasi Taulant Balla njoftoi se socialistët kanë gati një draft, Berisha deklaroi votën kundër të demokratëve kur kjo nismë të shkojë në Kuvend.
“Nuk votojmë asnjë ligj me PS-në. Jemi të angazhuar në procesin e reformës, në dy reformat, sepse kjo mendojmë ne është, jo se besojmë se Edi Rama do pranojë të ketë një produkt të përbashkët, jemi të bindur që nuk beson”, tha Sali Berisha.
Gjatë komunikimit me median, Berisha foli edhe për rritjen e çmimit të naftës, ku pohoi se rritja vjen për faj të qeverisë dhe jo nga lufta në Iran, shkruan A2CNN.
“Shkaqet e këtij çmimi të lartë, para së gjithash dhe mbi të gjitha, lidhen me ngarkesën absurde, të pamëshirë fiskale mbi litrin e naftës që Edi Rama ka vendosur. Disa janë faktorët më kryesorë të këtij çmimi, por në mënyrë absolute dy prej tyre janë qeveritarë, qeveritarë dhe vetëm qeveritarë”, tha kryedemokrati.
Teksa quajti cinizëm nismën e qeverisë për të ndërhyrë vetëm kur nafta të shkojë 220 lekë, Berisha deklaroi se opozita ka gati instrumentet se si mund të ulet çmimi i naftës.
“PD ka gati paketën e programit të saj me të cilën ajo vendos mbi naftën të njëjtën ngarkesë fiskale që ka Maqedonia e Veriut dhe Kosova, ngarkesë e cila i lejon këto dy vende që nuk nxjerrin asnjë litër naftë, të shesin naftën 60 përqind më lirë se në Shqipëri”, u shpreh Berisha.
Kryetari i PD nga konferenca për mediat tha se opozita do të vijojë të protestojë, por nuk tregoi datën e tubimit të radhës. (A2 Televizion)