Edhe seanca e kësaj të enjteje ka nisur me përplasjes mes opozitës dhe mazhorancës. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kërkoi nga Spiropali që të niste seancën me interpelancë të kryeministrit Rama për çështjen “Becchetti”.
Kryetarja e Kuvendit e hodhi në votim këtë kërkesë, e cila u rrëzua.
“Në datën 2 dhjetor të këtij viti, në përputhje me nenet e kushtetutës, kam kërkuar një interpelancë me kryeministrin sa i takon informacioneve të bëra publike që 130 milionë euro të qytetarëve shqiptarë janë bllokuar për llogari të ekzekutimit të vendimit të arbitrazhit ndaj televizionit Agon. Ju keni thënë se kryeministri nuk mund të ishte prezent, por do të ishte në seancën e radhës. Në këtë kuptim, ju zonja kryetare kishit detyrimin që sot si pikë të parë të rendit të ditës të vendosnit interpelancën me kryeministrin.
Kryeministri nuk mund të vërë kushte se kur paraqitet dhe kur nuk paraqitet në kuvend sipas detyrimit që ka nga Kushtetuta e Republikës. Ndërsa kushti që ka vendosur nuk varet nga Kuvendi, nëse i vëllai i tij Olsi Rama është apo jo i përfshirë në çështjen “Xibraka” dhe kërkesa e tij që të mbyllen hetimet nga SPAK, nuk është një kërkesë për Kuvendit, mund të jetë shantazh ndaj Prokurorisë, por jo kusht kushtetues ndaj Kuvendit.
Thërrisni Ramën të vijë këtu dhe të japë llogari për atë informacion që ka dalë në media. Ne disponojmë edhe të gjitha dokumentacionet përkatëse. Kishte thënë aty që nuk ka asnjë letër të shtetit shqiptar. Patjetër! Kur nuk ka ekzekutimin vullnetar por ekzekutim të detyrueshëm nuk ka letra nga shteti shqiptar, por vendim nga gjykata belge. Ndërprisni seancën, detyrojeni të mos fshihet, të vijë të japë llogari siç e detyron Kushtetuta”, tha Bardhi.
“Kryeministri nuk sqaron shpifjet”, Balla: Refuzimi i interpelancave, kur nuk janë në formë
Debate ka pasur në kuvend në lidhje me kërkesën e opozitës për një interpelancë me kryeministrin Rama për çështjen Becchetti.
Në mungesë të kreut të qeverisë, ministri Balla u shpreh se kryeministri nuk ka asnjë detyrim që të sqarojë shpifjet, teksa çështja Becchetti, po shqyrtohet ende në gjykata.
“Kryeministri e ka të pamundur të lerë angazhimet për t’iu përgjigjur kësaj kërkese për interpelancë. Ai nuk mund të japë llogari për një shpifje të propaganduar. E them shpifje se bëhet fjalë që shteti shqiptar i ka paguar 130 milionë euro një personi me të cilën po përballet me gjyqe dhe në shtete të tjera të Evropës. Këtu na kërkohet të vijë kryeministri të sqarojë një shpifje.
Ma gjeni në rregullore ku është detyrimi për të sqaruar një shpifje. Të gjithë ministrat janë të gatshëm të vijnë e të japin llogari vetëm kur kërkesa juaj vërtetohet me fakte. Ky Kuvend, me kushtetutën dhe rregulloren që e pasoi, e ka të pasur refuzimin e interpelancave, kur ato nuk janë në formë”, tha Balla. (A2 Televizion)