Ndryshime në Kodin Zgjedhor, Berisha: Shpresojmë pas zgjedhjeve, ta bëjmë të drejtë

Nga Anesti Barjamemaj
14 Mars 2025, 15:11 | Politikë

Kodi Zgjedhor mund të ndryshojë përsëri. Nga Elbasani, ku takoi kandidatët për deputetë të qarkut dhe strukturat drejtuese të demokratëve, Sali Berisha tregoi pakënaqësitë e tij për kodin aktual elektoral. 

Korrigjimet e bëra në fundkorrikun e vitit të shkuar sa i përket listave të hapura, kur u hoq herësi prej 10 mijë votash dhe lista u nda në dy pjesë, e mbyllur dhe e hapur, për të nuk janë të mjaftueshme, ndaj premton se pas zgjedhjeve do të ulet në tryezë me kundërshtarët për ta përmirësuar. 

“Prapë lista është e padrejtë, unë e them. Por, siç ishte, ishte më keq. Sepse për t’u futur deputet, duhet të merrje 10 mijë vota. U futën 3-4 vetë gjithsej. Kurse kështu, këta që kanë mbetur, kush merr më shumë, futet. Shpresojmë që pas zgjedhjeve të ndryshojmë kodin dhe ta bëjmë të drejtë”, deklaroi Berisha, shkruan A2.

Me pakënaqësitë e tij për Kodin Zgjedhor justifikon dhe qejfmbetjen e atyre që mbetën jashtë listave. I fton që të punojnë për Partinë Demokratike për 11 majin, pasi, siç thotë, nuk duhet të mendojnë vetëm për një ulëse në Kuvend, por për të ardhmen në politikë: “Deputetët që nuk janë në lista, unë i ftoj që të kontribuojnë. Në politikë, udhëtimi nuk është me një finish. Udhëtimi është i gjatë. Sot nuk u zgjodhe, nesër zgjidhesh”. 

Berisha u kërkoi të gjithë kandidatëve që të shtrinë dorën e bashkëpunimit për çdo opozitar dhe të shpalosin te qytetarët programin e Partisë Demokratike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos