Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, u ka bërë thirrje intelektualëve shqiptarë t’i bashkohen protestave të PD-së.
I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN, Balliu u shpreh se betejat e mëparshme politike kanë qenë parimore dhe të bazuara në Kushtetutë, ligj dhe demokraci.
Balliu: Ka qenë një betejë shumë parimore, shumë e drejtë, shumë e sinqertë. Pavarësisht se si u zhvillua, ishte një betejë kushtetuese, për ligjin, për demokracinë në thelb, për pluralizmin dhe është e njëjta gjë edhe sot.
Ai theksoi se në të kaluarën ka pasur reagime më të forta nga intelektualët, duke kujtuar mbështetjen që ata i dhanë deputetëve gjatë grevës në sallën e Parlamentit.
Balliu: Në atë kohë, mos gaboj, ka pasur reagime edhe nga intelektualë për të njëjtën çështje. Ata reagonin dhe ishin në mbështetje të një grupi deputetësh që sakrifikonin në një grevë brenda sallës së Parlamentit.
Sipas tij, sot situata ka ndryshuar dhe mungon reagimi për shkak të frikës që, sipas tij, mbizotëron në vend.
Balliu: Ndërsa sot, fatkeqësisht, frika është tmerrësisht e madhe. Unë pres reagime edhe nga intelektualët.
Balliu: Unë do t’i ftoja, sepse janë intelektualë, ata kanë detyrimin moral të reagojnë. (A2 Televizion)