Rreth një orë para se t’i skadojë afati për t’u paraqitur në SPAK, ish-kryeministri Sali Berisha iu drejtua sallës së Parlamentit, ku do të diskutohet në një seancë maratonë projektbuxheti 2024.
I pyetur nga gazetarët nëse do të shkojë në Prokurorinë e Posaçme për të zbatuar masën e sigurisë së vendosur ndaj tij për dosjen “Partizani”, Berisha tha se nuk do të zbatojë kurrë urdhrat e Edi Ramës.
Ai u ndal te prokurori i çështjes “Partizani”, ish-kreu i SPAK Arben Kraja, duke e akuzuar si ish-oficer të Sigurimit të Shtetit, i cili sipas Berishës duhet të qëndronte larg organeve të drejtësisë.
“Sot unë jam paraqitur në Parlament. Nuk mund të pranoj kurrë përvetësimin që i bën parlamentit Edi Rama. Ai është një urdhër i Edi Ramës, i lëshuar nëpërmjet mercenarëve të inkriminuar siç është Arben Kraja, i cili qëndron në detyrë në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit të Prokurorisë, që e nxjerr jashtë si ish-oficer sigurimi”, tha Berisha.
Berisha po ashtu akuzoi gjyqtaren Irena Gjoka, e cila ka dhënë vendimin për “detyrim paraqitje” dhe për t’i ndaluar daljen nga territori shqiptar, si person që zbaton urdhrat e ministrit të Brendshëm, Taulant Balla.
“Ua u tregova unë dokumentin e asaj që fshihet prapa krimit, Irena Gjoka dhe së fundmi njeriu me lidhjet më obskure me Taulant Ballën. Ata janë shërbëtorë të mjerë, të cilët zbatojnë urdhra të Edi Ramës, ndërkohë që marrin pushtetin në Parlament. Edi Rama nuk njeh ligje, as moral. Unë nuk ka diskutim që ia them dhe do t’ia them: Mos ia mbath. Beteja është pa kthim”, deklaroi ish-kryeministri. (A2 Televizion)