Ish-ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN, debatoi me gazetarin Roland Qafoku për marrëdhëniet e Partisë Demokratike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Qafoku tha: “Qeveria, thua ti dhe ke të drejtë, që nuk i ka mirë marrëdhëniet me Amerikën. Por, edhe opozita s'i ka mirë. Madje, opozita s'ka fare marrëdhënie se qeveria të paktën i bie telefonit në Ambasadë dhe i përgjigjet ndonjëri atje. Opozita nuk ka as telefonin”.
Bumçi iu përgjigj: “Ne shkojmë në telefona që ty nuk ta pret mendja, që janë në Shtëpinë e Bardhë. Po të marr një shembull. A pati një dëgjesë? Kemi kontakte në Shtëpinë e Bardhë”.
“Po ky qenka lajm! Unë jam shumë i gëzuar nëse PD-ja ka kontakte në SHBA. Ky është një lajm i mirë për Shqipërinë. Por, PD-ja nuk ka fare kontakte zyrtare”, u kundërpërgjigj Qafoku.
Avenir Peka theksoi se “në nëntor, kur erdhi Asistent Sekretari i Shtetit në Shqipëri, që shkoi te SPAK-u, kë takoi nga klasa politike? Takoi kryetarin e Parlamentit, takoi ministren e Brendshme, takoi dhe pesë deputetë të Partisë Demokratike. Gaz Bardhi, kryetar i grupit parlamentar i PD, ishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për vizitë zyrtare, ishte në Shtëpi të Bardhë, ishte në Këshill Sigurimi të Shtëpisë të bardhë. U takua me zëvendësprokuroren e përgjithshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe diskutoi edhe për Shqipërinë, gjëra që nuk thuhen publikisht sepse janë pjesë e diplomacies”.
(A2 Televizion)