
Të martën, Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, u shpreh se Komisioni Europian i ka dërguar Këshillit propozimin për mbylljen e tre kapitujve për Shqipërinë. Në përgjigje të A2C NN Këshilli i BE tregoi zyrtarisht se cilat janë kapitujt dhe kur do të diskutohen në mbledhjen e COELA.
“Për të qenë të saktë dhe faktikë, Këshilli ka marrë një propozim, “Pozicione të Përbashkëta të BE-së” për këta kapituj negociues: Kapitulli 30: Marrëdhëniet e Jashtme; Kapitulli 25: Shkenca dhe Kërkimi; Kapitulli 26: Arsimi dhe Kultura”, u përgjigj Këshilli.
Sipas tij, propozimi ka mbërritur më 2 qershor. Këshilli thotë se më 5 qershor është planifikuar diskutimi i parë në COELA.
I pyetur a e ka miratuar tashmë Këshilli, apo a synon të miratojë, Pozicionin e Përbashkët të BE-së për mbylljen e përkohshme të këtyre kapitujve, Këshilli u përgjigj: “Jo. Siç u përmend më sipër, kjo nuk ka ndodhur ende. Miratimi i projekt-Pozicioneve të Përbashkëta të BE-së nga COREPER pritet të ndodhë në muajt në vijim. Është ende herët për ta thënë. Zakonisht, arritja e dakordësisë së shteteve anëtare në COELA kërkon disa raunde diskutimesh. Prandaj, mund të thuhet me siguri se zhvillimet e ardhshme kryesore do të ndodhin gjatë presidencës së ardhshme irlandeze të Këshillit të BE-së”.
Për këtë çështje, A2 CNN pyeti edhe Komisionin Europian. “Shpejtësia e përparimit në negociatat e anëtarësimit varet nga reformat e zbatuara dhe nga përmbushja e kushteve nga secili vend kandidat. Komisioni vazhdon të mbështesë Shqipërinë në përpjekjet e saj reformuese dhe mbetet plotësisht i angazhuar gjatë gjithë procesit. Kur të përmbushen kriteret dhe kushtet e nevojshme, Komisioni do të ndërmarrë hapat përkatës. Brenda pak më shumë se një viti, për Shqipërinë janë hapur të gjashtë grupkapitujt (clusters) e negociatave. Javën e kaluar, shtetet anëtare miratuan kriteret për mbylljen e kapitujve që lidhen me sundimin e ligjit, si edhe kriteret ekonomike të anëtarësimit për Shqipërinë”, u përgjigj KE.
“Kjo do të thotë se Shqipëria tani mund të nisë fazën e mbylljes së kapitujve të negociatave. Ndonëse nuk mund të spekulojmë mbi numrin e saktë të kapitujve që mund të mbyllen deri në muajin korrik, Komisioni është plotësisht i angazhuar për të mbështetur Shqipërinë që të mbyllë sa më shumë kapituj të jetë e mundur”. (A2 Televizion)